TIRANE, 21 Prill/ATSH/- Kryetari i PD, Lulzim Basha dënoi sot, sipas tij, fushatën e akuzave të pabaza dhe shpifjeve të ulëta kundër deputetit gjerman Gunther Krichbaum.
Kjo fushatë, sipas Bashës, është frymëzuar nga sulmet e kryeministrit Edi Rama në mediat e kontrolluara prej tij, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, bie ndesh me çdo vlerë demokratike dhe europiane.
“Gunther Krichbaum është një nga figurat politike më të nderuara dhe të respektuara të Europës. Mbi të gjitha, Gunther Krichbaum është një njeri që e do dhe mbështet Shqipërinë. Por ai do një Shqipëri ku të sundojë shteti i së drejtës dhe demokracia. Prandaj ai ka shprehur hapur dhe me ndershmëri mendimet dhe kritikat e tij për të ndihmuar përparimin e Shqipërisë dhe të integrimit të saj në Bashkimin Europian. Kritikat e argumentuara dhe të paanshme të Krichbaum i janë shprehur Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare edhe nga shumë qeveri të tjera europiane, mbrëmë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kryesisht hapësirës Euroatlantike”, tha Basha.
Por, tha Basha, në vend që të ballafaqohet me realitetin e vërtetë që Krichbaum e argumenton në mënyrë bindëse, Edi Rama ka zgjedhur një fushatë shpifjesh dhe lajmesh fallco, fake news, kundër Kryetarit të Komisionit të Çështjeve të Bashkimit Europian në Bundestag.
Duke folur për miratimin e statutit të ri të PD mbrëmjen e djeshme, Basha tha se “jam mirënjohës që u përqafua platforma për kufizimin dhe transferimin e pushtetit duke forcuar vendimmarrjen në këshill dhe kuvend”.
“ Risia më e madhe është përfaqësia pa asnjë dilemë e parimit të konsultimit një anëtar një votë për seleksionimin e kandidaturave. Është rruga e duhur për Shqipërinë. Kritikët? Përsëris ftesën për çdo demokrat që të jetë pjesë e këtij projekti dhe parimet e së cilit do të transformojnë nesër Shqipërinë”, deklaroi kreu i PD. /a.g/





















