https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155748971376523/
TIRANË, 20 prill /ATSH-Maela Marini/ – Qeveria e ka mbështetur fuqishëm dhe do të vazhdojë të mbështesë me investime, zbatimin e projekteve transformuese në Qarkun e Fierit.
Kështu deklaroi të premten, kryeministri Edi Rama, i cili zhvilloi mbledhjen e radhës në Qarkun e Fierit, ku u ndal në projektet transformuese që do të përfshijnë këtë qark.
“Më erdhi shumë mirë që në hyrjen e qytetit të Fierit, ne mund të shihnim gjithë transformimin e jashtëzakonshëm të qytetit në këto 3 vitet e fundit, pas ndryshimit që solli vota në bashkinë e Fierit. E përgëzoj me gjithë zemër kryetarin e bashkisë Fier për lidershipin dhe gjallërinë e jashtëzakonshme që ka sjellë në punën e bashkisë, për kantieret e shumta dhe cilësinë e admirueshme të punës, si dhe përkushtimin e gjithë ekipit të bashkisë”, tha kryeministri Rama.
Kryeministri siguroi se “qeveria do të vazhdojë të mbështesë bashkinë e Fierit, në fazën kur duhet të realizojmë së bashku edhe projektin e transformimit rrënjësor të qendrës dhe zonës së çliruar të lumit që përshkon mespërmes qytetin, dhe që deri pak muaj më parë ishte jo vetëm i fshehur pas ngrehinash pa leje, por edhe burim problemesh shumëvjeçare për Fierin”.
Interesimi ynë, theksoi Kryeministri, nuk është thjesht dhe vetëm transformimi urban në bashkinë e vjetër dhe zonën shumë të gjerë të bashkisë së re.
“Ne synojmë të nxisim edhe një sërë politikash në funksion të zhvillimit rural dhe mbështetjes së fermerëve, që këtu në këtë zonë janë veçanërisht të përkushtuar dhe interesuar të zhvillojnë ekonominë e tyre, përmes punës së palodhur me tokën”, tha Rama.
Kryeministri u ndal te miratimi në mbledhjen e sotme të një dokumenti orientimi të zhvillimit përmes projekteve të integruara publike, në një paketë ndërhyrjesh prioritare në këtë qark për vitin 2018-2021.
Një pikë të veçantë në këtë dokument, sipas tij, zë mbështetja e sektorit të turizmit, me Apolloninë dhe Ardenicën, si dy qendra të rëndësishme dhe me një potencial të madh për të nxitur zhvillimin e turizmit, por edhe përmes disa projektesh si rrugët bregdetare, apo edhe ndërtimin e infrastrukturës së mikpritjes dhe hotelerisë në zonën e plazhit.
Energjia gjithashtu, sipas Ramës, zë një vend të rëndësishëm në ekonominë e qarkut, që gjendet në hartën e zhvillimeve të rëndësishme strategjike përmes projektit të gazsjellësit dhe linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Fier-Elbasan-Maqedoni.
Ndërsa sa i takon spitalit të Fierit, ai tha se është prioritet”. “Pas një procedure që për fat të keq ka përfunduar jo si duhet në periudhën e qeverisë së kaluar, ku projekti ngeci dhe pastaj shkoi në drejtim të gabuar, MSH ka filluar nga e para gjithë procesin. Kemi humbur kohë dhe është një nga kostot e asaj qeverie”, tha ai.
Kryeministri veçoi edhe dy vendime të rëndësishme që kanë përfitues direkt bashkinë e Fierit dhe atë të Lushnjes.
“Kemi miratuar edhe një listë përfundimtare të pronave të paluajtshme në Fier si dhe shpronësimin për interes publik për sistemimin e një blloku të tërë banimi në Lushnje”, tha ai.
Kryeministri veçoi po ashtu një vendim për Divjakën, investim strategjik në bujqësi që mbështet krijimin e plantacioneve të tjera me shegë dhe avokado.
“Për Divjakën është hapur drita jeshile për ngritjen e 800 hektarëve të tjera plantancione shegë, avokado dhe disa fruta të tjerë të volitshme në fushën e eksporteve”, tha Kryeministri.
/a.g/






















