Ballina Aktualitet

Djegia e mandateve, Kryesia e PD voton unanimisht propozimin e Bashës

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ – Kryesia e Partisë Demokratike ka votuar unanimisht propozimin e kryetarit Lulzim Basha për djegien e mandateve.

Në një dalje për mediet nga selia e Partisë Demokratike, kreu i saj Lulzim Basha tha se djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete, por rekursi i fundit për të arritur një qëllim madhor, e cila sipas tij, është shembja e qeverisë.

“Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete, djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor, që të shembim një qeveri të krimit, për krimin dhe nga krimi dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit. Për këtë, ne nuk po kërkojmë të marrim diçka, nuk po kërkojmë të marrim mandate me ndihmën e krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama dhe siç është vërtetuar edhe nga provat gjyqësore të publikuara nga “Zëri i Amerikës”. Ne do japim dhe për ta përkthyer tani thënien e presidentit Linkoln, shpresojmë që kjo sakrificë nuk do të shkojë kot, sepse ky komb nën Zot do të ketë një lindje të re të lirisë dhe demokracisë. Qeverisja e njerëzve, nga njerëzit dhe prej njerëzve nuk do të zhduket nga faqja e dheut, nuk do të zhduket nga faqja e Shqipërisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti e bekoftë Amerikën!” – tha Basha.

I pyetur për thirrjen e Ambasadës amerikane në Tiranë për të hedhur poshtë këtë vendim, Basha nuk pranoi të komentonte. Ndërkaq, ai tha se “për Partinë Demokratike dhe për mua personalisht nuk ka frymëzim më të madh sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe demokracia amerikane”.

/z.tosku/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDjegia e mandateve, Ferhati: Lojë e rrezikshme për të fituar pushtet
Artikulli tjetërPunimet e planifikuara, kufizohet energjia elektrike në disa zona të Lushnjës