TIRANË, 16 shkurt/ATSH/-Pas pastrimit të sistemit të Drejtësisë nga Gjykatësit dhe Prokurorët e korruptuar, reforma e nisur do të pasohet nga një fazë tjetër.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot nga takimi me qytetarët vlonjatë se “Drejtësia që ne duam dhe ajo çka reforma në drejtësi synon nuk është thjesht që këta ti pushojnë nga puna, por është që në radhë të parë të pastrohet pallati i drejtësisë, të ngrihet një sistem drejtësie i ri, me njerëz me integritet”.
Kryeministri komentoi edhe opozitën e bashkuar, duke theksuar se nëse këto të fundit duan të marrin pushtetin me dhunë ndërsa akuzoi LSI si “fabrikë” për vjedhjen e votës.
“Sigurisht, që padurimi ka arritur kulmin por mos harroni se janë dhjetëra e dhjetëra nga këta që janë përzënë nga sistemi ndërkohë që janë të tjerë si ata gjykatësit që i rivranë 4 policët, që mendojnë se meqë nuk e kalojnë dot Vetingun të marrin ca të marrin deri në fund. Prandaj kemi pasur dhe do te kemi ngjarje të rënda si kjo por ama një gjë të jeni të sigurt. Po ju a them këtu dhe mbani mënd mirë këtë gjë sepse koha do e vërtetojë. Këta njerëz nuk kanë mbaruar punë me drejtësinë. Drejtësia që ne duam dhe ajo çka reforma në drejtësi synon nuk është thjesht që këta ti pushojnë nga puna por është që radhë të parë të pastrohet pallati i drejtësisë, të ngrihet një sistem drejtësie i ri, me njerëz me integritet dhe këta do të paraqiten një nga një një para drejtësisë për të gjitha paudhësitë që kanë bërë. Ashtu sikundër edhe ata të tjerët që u ka mbirë në gojë krimi, u ka mbirë në gojë droga, korrupsioni dhe që bëjnë sikur sapo kanë rënë nga qielli, na tregon ne doktoresha blerjen e votës që në qoftë se ka një fabrikë që ka blerë vota në Shqipëri, ajo dihet se kush është. Na tregojnë ne ata kanabisin dhe na tregojnë ne ata këtë e atë. Ata janë thjesht hajduti që bërtet kapni hajdutin, vrasësi që bërtet kapeni vrasësin, përdhunuesi që bërtet kapeni përdhunuesin dhe ata janë në panik sepse ata e dinë shumë mirë. Ata votë nga populli nuk marrin dot por tani kanë edhe hallin tjetër që drejtësia e re hap pas hapi po vjen dhe shumë prej tyre do të përgjigjen para drejtësisë. Të jeni të sigurt për këtë”, -sqaroi Rama.
Për çështjen e “Dritan Dajtit”, Rama tha se kjo çështje nuk do të mbetet me aq.
“Dje policia me urdhër të Prokurorisë dhe më vendim të Gjykatës u vajti në shtëpi atyre gjykatësve. Atyre që lehtësuan dënimin e një vrasësi që i mori jetën 4 policëve. Nuk kishte ndodhur kurrë dhe ndodhi. Kështu hap pas hapi gjërat do të ndodhin por ju lutem shumë po harroni se ne po bëjmë një revolucion shtet ndërtues”, shtoi ai.






















