TIRANË, 15 shkurt/ATSH/- Qytetit të Shkodrës i shtohen 2 kënde lojërash dhe së shpejti, edhe një i tretë.
Bashkia e Shkodrës ka në fokus krijimin e hapësirave të reja për argëtimin e fëmijëve, ku përveç këndit të ri të lojërave në qendër të qytetit tek Shatërvani, ka përfunduar edhe këndi i ri i lojërave tek lulishtja “Isa Boletini”.
Një tjetër do të ndërtohet tek lulishtja e Universitetit, siç njihet në Shkodër, si pjesë integrale e rikualifikimit të gjithë zonës atje.
Po ashtu, edhe në lagjen “Xhabije”, pas rikualifikimit që po realizohet, fëmijët do të kenë këndin e tyre të lojërave.
Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi, i konsideron shumë të rëndësishme investimet për këndet e lojërave sepse janë një investim direkt për të ardhmen.
Fëmijët dhe argëtimi i tyre ka qenë dhe do të jetë prioritet i bashkisë së Shkodrës edhe në vitet në vijim. Në çdo punë publike, aty ku hapësira do ta mundësojë, këndet e lojërave për fëmijët do të jenë përparësi për t’i ndërtuar./k.s/j.p/






















