Përmirësimi i tregut të punës nxiti kreditimin për individët

TIRANË, 15 shkurt /ATSH/- Përmirësimi i tregut të punës dhe rritja e konsumit, nxitën një dinamikë të re zhvillimi të kreditimit për individët nga sektori bankar.
Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, kredia për individë vijon të shfaqë një rritje të qëndrueshme, e ndihmuar nga përmirësimi i tregut të punës, rritja e konsumit dhe nga qasja më pozitive e politikave të financimit të bankave për këtë segment.
Zhvillimet në portofolin e kredisë tregojnë për përmirësim të ritmeve të rritjes
së saj në tremujorin e katërt, të ndikuar nga kërkesa disi më e lartë e bizneseve
për kredi.
Megjithatë, vëren BSH-ja, ritmet e rritjes së kredisë për sektorin privat mbeten të ulëta. Pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë me probleme dhe konsolidimi i sistemit bankar pritet të ndihmojnë në një rritje të qëndrueshme të kredisë në të ardhmen.
Sipas BSH-së, stoku i kredisë për sektorin privat ndaj PBB-së vlerësohet në rreth 35.2%, në fund të tremujorit të tretë të vitit të kaluar, shifër kjo që pritet të rritet gjatë 3-mujorit të parë 2019. e.xh/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.