TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ – Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali analizon ndryshimet që pritej që të sillte e ashtuquajtura Republika e re e shpallur nga Partia Demokratike, por që nuk janë tjetër veçse në shërbim të vetë Bashës, familjes dhe klientëve të tij.
“Kjo fletëpalosje është njëlloj si ajo e Republikës së re, ku është hequr Republika e re dhe është vendosur Alternativa për Zhvillim. Republika e re do të sillte çlirimin e ekonomisë dhe solli vetëm shkatërrimin e mëtejshëm të partisë. Republika e re, do të sillte punësim dhe kujdes për sipërmarrjen, por solli vetëm ripunësimin e Lulzim Bashës kryetar partie pas humbjes dhe kujdes për sipërmarrjen e kunatit. Republika e re do ta kthente biznesin e vogël në gjenerator të ekonomisë kombëtare dhe ktheu PD-në në gjenerator të ekonomisë familjare të kryetarit të vogël të partisë. Republika e re do të tërhiqte investime të huaja dhe tërhoqi vetëm agjencitë e huaja që hetojnë paratë ruse, të futura në lobet e dyshimta amerikane për llogarinë të Lulzim Bashës. Republika e re do të hiqte akcizën e naftës për fermerët dhe peshkatarët dhe hoqi nga partia themeluesit dhe solli të peshkuarit në rezervuarin e kunatit. Republika e re do ta kishte arsimin prioritet kombëtar dhe ka sjellë si prioritet jo kombëtar gjetjen e përgjigjes, a ka diplomë Lulzim Basha? Ndërkohë pyetja ime është, po alternativa për zhvillim që thjesht ka zëvendësuar republikën e re në kaptinën e të njëjtit dokument, çfarë mund të sjellë?”, tha Spiropali.
Sipas saj, përgjigja e çdo personi të zakonshëm që e ndjek sadopak politikën, do të sjellë një humbje edhe më të thellë të PD-së, të Lulzim Bashës qershorin e ardhshëm, krahasuar me 2 qershorin e mëparshëm. /e.çaushi/j.p/





















