TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nisi dhe për këtë javë programin ndërgjegjësues në shkolla/çerdhe nën logon “Siguria Ushqimore” në qytetin e Elbasanit.
Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Luigj Gurakuqi” u njohën me elementet dhe këshillat rreth sigurisë ushqimore. Interesi i nxënësve ishte i lartë duke drejtuar pyetje të ndryshme specialistëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Ajo çka nxënësit e kësaj shkolle kishin më shumë kureshtje ishte data e skadencës tek produktet që ata blejnë dhe nëse janë të dëmshme për shëndetin pijet me gaz që ata konsumojnë.
AKU njofton se, deri më tani janë zhvilluar trajnime në qarqet: Tiranë dhe Berat dhe Durrës për t’u shtrirë më tej në të gjithë vendin. Duke nxjerrë konkluzionet nga trajnimet e kaluara, me bindje të plotë themi se tek këta nxënës është rritur ndërgjegjësimi dhe informimi mbi sigurinë ushqimore.
Synimi i AKU-së është që ky program të fokusohet fillimisht pranë nxënësve të shkollave duke e konsideruar këtë, një hap të rëndësishëm në kultivimin e qytetarëve të informuar në fushën e sigurisë ushqimore, por edhe aktivë për ta promovuar atë (sigurinë ushqimore) tek familjet e tyre dhe kudo.
e.xh/ /a.g/












