TIRANË, 18 Prill/ATSH-Maela Marini/- “Më shumë fonde financiare dhe vëmendje ndaj strukturave vendore të policisë në Dibër, për të përballuar luftën ndaj krimit, korrupsionit e drogës”.
Këtë kërkoi të mërkurën, deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Dibrës, Xhemal Gjunkshi, gjatë Forumit Qytetar për Sigurinë, që u organizua në këtë qytet me praninë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Gjatë këtij takimi deputeti demokrat ngriti disa probleme që shqetësojnë komunitetin.
Gjunkshi tha se, “ka shumë nevojë që të ndjehet dora e Policisë së Shtetit, jo vetëm thjesht përmes këtyre takimeve, por edhe nëpërmjet investimeve konkrete”.
Me rritjen e buxhetit të Ministrisë së Brendshme me rreth 70 milionë dollarë për këtë vit, Gjunkshi kërkoi më tepër fonde për drejtorinë vendore të Policisë Dibër.
Po ashtu, Gjunkshi u ndal edhe te probleme të tjera që shqetësojnë komunitetin si siguria ushqimore, siguria shëndetësore, siguria personale dhe deri te lufta ndaj fenomeve të tilla si bulizmi.
“Nuk jam për të kritikuar dhe për të evidentuar vetëm punën e dobët, por këto janë shqetësime të banorëve të Qarkut Dibër”, tha ai.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj falënderoi deputetin e opozitës për pjesëmarrjen në këtë takim. “Falënderoj deputetin e opozitës këtu që është kundërshtar politik, por jo armik. Siguria dhe rendi nuk lidhet me politikën, por me qëndrimin në këtë vend më qetë dhe me më shumë siguri”, tha Xhafaj.























