TIRANË, 22 janar /ATSH/ – Reforma Administrativo-Territoriale, Projekti STAR2, në vijim të asistencës që u ofron 61 bashkive të vendit për forcimin e kapaciteteve në fushën e menaxhimit financiar, filloi një seri prej 4 tavolinash të përbashkëta mbi hartimin e planeve për mbledhjen e të ardhurave nga njësitë e vetëqeverisjes vendore të cilat do të zhvillohen gjatë muajit janar 2019.
Punonjës të drejtorive të të ardhurave/mbledhjes së taksave vendore të njësive të vetëqeverisjes vendore në bashkëpunim me ekspertë fiskalë dhe ligjorë do të hartojnë plane të personalizuar për 29 bashki të vogla dhe të mesme për mbledhjen e taksës së ndërtesës, tarifës së pastrimit dhe detyrimeve të pambledhura, bazuar në ndryshimet e fundit ligjore me qëllim rritjen e mbledhjes së taksave dhe tarifave vendore.
Takimi i parë u zhvillua në qytetin e Gjirokastrës me pjesëmarrjen e Bashkive Kelcyrë, Memaliaj, Tepelenë, Dropull, Finiq, Konispol, Libohovë dhe Delvinë. Takimi i dytë po mbahet sot ne Vlorë me pjesmarrjen e Bashkive Skrapar, Roskovec, Mallakastër, Selenicë, Himarë, Divjakë, Ura Vajgurore dhe Rrogozhinë.
Në vijim, projekti do të ofrojë asistencë të personalizuar për secilën bashki.
STAR2 – Konsolidimi i Reformës Territoriale dhe Administrative – është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian, Suedia, Italia, Zvicra, USAID, UNDP dhe Qeveria e Shqipërisë në mbështetje të konsolidimit të njësive vendore të Shqipërisë. Partneri zbatues i projektit është Ministria e Punëve të Brendshme. Projekti zbatohet nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri./j.p/












