TIRANË, 5 janar /ATSH/ – Autoriteti Portual po merr masa për ceremoninë e Ujit të Bekuar, e cila si çdo vit do të zhvillohet nesër paradite në pjesën qendrore të basenit portual.
Forcat e Sigurisë Portuale dhe mjeti lundrues i saj do të kujdesen për mbarëvajtjen e ceremonisë, që do të nisë rreth orës 10.30,pranë kalatës 5.
Autoambulanca dhe zhytësit do të jenë si gjithmonë në gatishmëri për të asistuar në rast nevoje të rinjtë që hidhen për të kapur Kryqin në ujrat e detit Adriatik.
Siç dëshmojnë edhe fotot e viteve 2017 e 2018, qindra besimtarë ortodoksë dhe qytetarë të tjerë durrsakë marrin pjesë çdo 6 janar në kremtimin e Ditës së Ujit të Bekuar.
Njëlloj si sot, edhe në dy vitet e kaluara qyteti i Durrësit përjetoi temperatura të ulta, madje natën e 5-6 janarit 2017 u zbardh nga dëbora, por ceremonia u zhvillua sipas parashikimit.
Kremtimi i Ditës së Ujit të Bekuar në Durrës është një nga ceremonitë fetare e qytetare që zhvillohen çdo vit në mjediset e Portit më të madh të vendit. /a.a/j.p/























