Ballina Flash

Bob Dylan rikthehet në Itali me koncerte pa nostalgji dhe pa spektakël

MILANO, 4 nëntor, ATSH/ Pa ekrane gjigante, me ndriçim të zbehtë dhe vetëm një perde të bardhë në sfond. Bob Dylan zgjodhi një skenë minimaliste për koncertin e parë në Itali, duke rikrijuar një atmosferë që të kujton vitet ’70.

Mbi 15 mijë persona mbushën Unipol Dome në Milano për të ndjekur performancën e parë të këngëtarit amerikan, i cili do të mbajë edhe dy koncerte të tjera në Itali, në Romë më 5 nëntor dhe në Bolonjë më 7 nëntor.

Siç shkruan Andrea Silenzi në gazetën “La Repubblica”, publiku ishte ndarë mes atyre që shpresonin për ndonjë surprizë muzikore dhe atyre që e dinin se çfarë i priste. Por surpriza nuk erdhi: Dylan nuk interpretoi asnjë nga klasikët e tij të vjetër.

I veshur me të zeza dhe me kapuç në kokë, këngëtari 85-vjeçar qëndroi në këmbë pranë pianos dhe nuk iu drejtua asnjëherë publikut. Edhe volumi i ulët i muzikës shkaktoi pakënaqësi te disa spektatorë në sektorët anësorë.

Pa komunikim me publikun dhe pa elementet e zakonshme të spektaklit, Dylan mbeti besnik ndaj stilit të tij, duke ofruar një koncert që nuk synonte të kënaqte nostalgjinë e publikut.

Ndërkohë, më 6 nëntor pritet të dalë një koleksion me 39 disqe kushtuar turneut legjendar “Rolling Thunder Revue” të viteve 1975-1976, një prej periudhave më të rëndësishme të karrierës së tij.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“The Guardian”: Chris Pappas hyn në histori si senatori i parë homoseksual në SHBA
Artikulli tjetërFRANCË – Sulm kibernetik ndaj qendrave të gjakut, hakerat synojnë frigoriferët e ruajtjes së plazmës