TIRANË, 22 dhjetor/ATSH – Z. Tosku/ – Për të përfituar një pension më të lartë, çdo person mund të paguajë vullnetarisht kontribute për sigurime shoqërore.
Skema vullnetare është një skemë plotësuese për të gjithë ata që dëshirojnë të sigurohen, por nuk janë të punësuar. Kjo vlen edhe për ata persona që u mungojnë disa vite pune dhe mund të bëjnë kompensimin e tyre.
Drejtori i Përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se në total janë tetë mijë e pesëqind qytetarë që në mënyrë vullnetare kompensojnë vitet që u mungojnë. Ndërsa për ata që janë pjesë e tregut të punës, sigurimet shoqërore derdhen në mënyrë sistematike.
“Ka persona që për arsye të ndryshme nuk janë të punësuar. Kanë të ardhura dhe duan që të jenë të mbuluar me sigurime shoqërore për të garantuar një pension të mirë për të ardhmen. Ka qytetarë shqiptarë që janë në emigracion, janë afër pensionit, por nuk ka marrëveshje me ato vende. Janë rreth 8 mijë, 8 mijë e 500 qytetarë, që në mënyrë vullnetare kompensojnë vitet që u mungojnë. Ka njerëz që janë të punësuar sot faktikisht, por nga 1994 ka pasur hapësira boshe që nuk janë siguruar, për arsye të tyre apo tregut të punës, dhe e kanë atë mundësi që t’i mbulojnë ato periudha të kaluara”, – shpjegoi Hado ndër të tjera. /r.e/ /a.g/





















