Ballina Flash

“Sofra beratase 2019”, ndahen çmimet për personalitetet e qytetit

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ – Sofra beratase mirëpriti personalitete me kontribut të spikatur në jetën e qytetit gjatë vitit 2018, si dhe personalitete të rëndësishme të cilat i përkasin jetës publike, biznesit si dhe organizatave jofitimprurëse në një takim të veçantë të zhvilluar dje.

Çmimet “Njeriu i vitit 2018” shkuan për Lejla Hazdic, Simon Vrusho dhe Myrto Uzuni. Lejla Hazdic u nderua me këtë çmim për rolin e saj të çmuar në fushën e trashëgimisë kulturore duke kontribuar në nxjerrjen në pah të vlerave kulturore dhe të tipologjisë ndërtimore të qytetit të Beratit, për restaurimin e banesave duke prezantuar denjësisht qytetin e Beratit si brenda dhe jashtë vendit.

Simon Vrusho për kontributin e tij në çeljen e muzeut “Solomoni”, i pari muze në vendin tonë kushtuar hebrenjve, i cili shumë shpejt u kthye në një qendër pelegrinazhi që është vizituar nga qindra turistë nga 40 shtete, njëkohësisht dhe për prezantimin dinjitoz të qytetit të Beratit, si një vlerë e shtuar në panteonin e muzeologjisë botërore.

Myrto Uzuni si një figurë e re plot shpresë dhe të ardhme në fushën e futbollit shqiptar, për rezultatet mbresëlënëse gjatë vitit 2018 në kampionatin e futbollit kroat si dhe atë kombëtar, një pikë referimi frymëzuese për brezat e rinj dhe një qytetar model, i cili është kthyer në një ambasador të qytetit të Beratit nëpër botë.

Të pranishëm në aktivitet ishin Petrit Sinaj, kryetari bashkisë së Beratit, Harilla Dafa, Prefekt i Qarkut Berat, si dhe Artion Duka, Drejtor i Policisë Vendore.

Në fjalën e tij, Sinaj vlerësoi fituesit e çmimit për shembullin e tyre tejet pozitiv dhe frymëzues për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe komunitetin e qytetit të Beratit në veçanti. Ceremonisë iu bashkua edhe prezantimi i “Sofrës beratase”.

“Sofra beratase” këtë vit u konceptua si një sofër e cila mirëpret dhe jep vlerësime dhe urime. Aktiviteti u zhvillua në frymën e traditës më të mirë të mikpritjes dhe gatimit beratas. Ai u parapri nga një panair punimesh dhe gatimesh artizanale. Gjithashtu, gjatë aktivitetit u promovua dhe u synua të nxitej tradita më e mirë e gatimeve tipike të qytetit. Për këtë arsye u krijua një sofër simbolike, e cila përfshiu disa nga gatimet tipike të qytetit të Beratit.

Gatimet më përfaqësuese të qytetit i përkasin periudhës së fundvitit dhe për këtë arsye u zgjodh kjo periudhë kohore për të promovuar edhe artin e gatimit beratas. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKuvend, opozita debate për Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë
Artikulli tjetërPolicët bashkiakë pranë shkollave, në ndihmë të fëmijëve