Kuvend, opozita debate për Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ – Seanca e sotme ka nisur me debate për çështjet e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Opozita ka kërkuar që sot mos futet në rend ditë kjo çështje, pasi sipas tyre mazhoranca kërkon të kapë edhe këtë institucion. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se në këto 5 vite, opozita ka marrë vetëm një pozicion në Autoritetin e Konkurrencës dhe sipas saj,  prania e opozitës nuk është në asnjë institucion tjetër të pavarur.

“Pse kundërshtuat këtë vendim të Parlamentit që me 28 firma sillnin një propozim? Pse kundërshtuan këtë vendim të Parlamentit që i kërkonit opozitës të sillte një propozim me 28 firma. Kam nxjerrë këtu të gjitha vendimet e kuvendit për anëtarët e bordit të Bankës së Shqipërisë. Në 3.11.2011 Kuvendi ka propozuar 3 anëtarë, znj. Ermelinda Meksi me firmat tuaj, znj. Elma Golemit me firmat tuaja, të LSI-së dhe PD-së dhe z. Dhori Kule me firmat e PD-së. Të tre me propozim të ndryshëm, sepse kështu thotë ligji kështu thotë kushtetuta. Kam nxjerrë të gjitha propozimet për të gjitha bordet e institucioneve të  pavarura, asnjëherë në asnjë rast nuk kanë ardhur të tre propozimet me 28 firmat e përbashkëta. Në këto 5 vite opozita ka marrë vetëm një pozicion në Autoritetin e Konkurrencës, asnjë institucion tjetër të pavarur. Për çfarë e doni opozitën këtu? Keni zgjedhur një Prokuror të Përgjithshëm në shkelje të Kushtetutës me shumicë të thjeshtë, kemi komisione hetimore që bëjnë sikur funksionojnë. Ku janë instrumentat e opozitës këtu?” – tha Tabaku.

Më tej, deputetja e PD-së argumentoi se më herët të gjitha vendimet e parlamentit për të gjitha propozimet e këtij parlamenti kanë ardhur nga të treja forcat politike me 28 firma të ndryshme. /z.tosku/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.