TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama mori sot vlerësime nga homologu i tij izraelit, Benjamin Netanyahu në lidhje me dëbimin nga Shqipëria të dy diplomatëve iranianë për arsye të sigurisë kombëtare.
“Lajme të mira vijnë sot nga Shqipëria. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dëboi ambasadorin iranian nga Tirana. Me këtë veprim,Kryeministri Rama i ka dërguar një mesazh të qartë regjimit radikal islamik të Iranit, se të thurësh sulme terroriste ka një kosto”, shkruan në profilin e tij në “Twitter”, Benjamin Netanyahu.
“Izraeli mbështet Shqipërinë sikurse mbështet çdo vend që e sheh regjimin iranian për atë që është: kërcënimi më i madh i sigurisë dhe paqes në botë”, thekson Kryeministri izraelit.

Qeveria e Shqipërisë shpalli persona non grata ambasadorin e Republikës Islamike të Iranit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia si dhe një diplomat tjetër të kësaj Ambasade, pasi dyshohen se janë të përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë e Shqipërisë.
Për më tepër ky vendim u përshëndet edhe nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. /G.S/





















