Ballina Aktualitet

Thelesklaf: Shqipëria progres kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit

TIRANË,18 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi priti sot në takim Kryetarin e Komisionit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit, MONEYVAL, Daniel Thelesklaf, e cila vlerësoi progresin e Shqipërisë kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në këtë takim, morën pjesë kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja, kryetarja e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Ermonela Felaj dhe sekretari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Anastas Angjeli.

Në takim, Thelesklaf vlerësoi legjislacionin shqiptar në këtë fushë si shumë të mirë dhe vuri theksin në nevojën e angazhimit të të gjithë aktorëve për zbatimin e këtij legjislacioni, në mënyrë që të ketë rezultate progresive dhe të prekshme, përsa i përket masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Po ashtu, Thelesklaf u shpreh se roli i Kuvendit në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm dhe shprehu besimin e tij se brenda një periudhe njëvjeçare, si rezultat i angazhimit të Kuvendit dhe të gjithë aktorëve të tjerë, rezultatet në këtë drejtim do të jenë të dukshme.

Gjithashtu, Thelesklaf shprehu gatishmërinë e Komitetit për të asistuar Kuvendin në këtë proces.

Nga ana e saj, Hysi shprehu vlerësimin e saj për punën e të gjithë mekanizmave të Këshillit të Europës dhe mirënjohjen për mbështetjen që ata i japin Shqipërisë, shprehu gjithë vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për të plotësuar në kohë rekomandimet e raportit të Moneyval.

“Strukturat e Kuvendit të Shqipërisë do të angazhohen për hartimin e një Plani Veprimi për të adresuar dhe plotësuar në kohë të gjithë rekomandimet e këtij raporti, që kanë të bëjnë me Kuvendin”. Kuvendi i Shqipërisë do të angazhohet për të miratuar ndryshimet e nevojshme në legjislacion sipas rekomandimeve të Moneyval-it si dhe në monitorimin e zbatimit të planit të veprimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave”, – u shpreh Hysi.

Kryetari i Komisionit MONEYVAL, Daniel Thelesklaf ndodhet në një vizitë pune në Shqipëri për të prezantuar raportin e vlerësimit për Shqipërinë të MONEYVAL.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMalësi e Madhe/ Bashkia dëgjesë publike me banorët e Shkrelit
Artikulli tjetërRUSI – Putin paraqet projektet nëse SHBA-ja tërhiqet nga traktati bërthamor INF