Ballina Aktualitet

Bushati: Greqia do të heqë Ligjin e Luftës me Shqipërinë

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/- Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati tha se Ligji i Luftës i Greqisë me Shqipërinë do të hiqet.

Gjatë një interviste televizive, Bushati pranoi se palët janë rikthyer në dy llogoret respektive, teksa nënvizoi se Ligji i Luftës është një pikë për të cilën ka dakordësi.

“Është e vërtetë që periudhën e fundit kemi një kthim në llogore dhe më shumë ka deklarata dhe retorikë sesa veprime konkrete. Për një politikan është shumë më lehtë të bëjë një deklaratë në ekran, sesa të bëjë zgjidhje konkrete në tavolinë”, – tha Bushati

“Edhe sikur të mos e dashurosh historinë, politika e jashtme është konsekuencë e historisë dhe kjo është arsyeja pse ne kemi çështje për të zgjidhur me fqinjët tanë… Ne diskutojmë ende probleme të lindura nga Lufta e Dytë Botërore. Për sa i takon Ligjit të Luftës do të ndodhë, do të hiqet, ka një dakordësi për këtë. Është bërë publik edhe nga qeveria greke. Deri para pak kohësh pretendohej se nuk ekzistonte, por është pranuar nga qeveria greke. Kjo do të sjellë dhe çlirimin e pakicave kombëtare dhe problematikave të caktuara”, – tha Bushati.

“Ka një dallim thelbësor mes Greqisë dhe vendeve të tjera, përfshirë dhe Shqipërinë, ku nga specialisti, deri te qeveritari më i lartë flasin të gjithë njëlloj për interesat e vendit. Përgjithësisht ministritë e Jashtme greke dhe serbe janë shkëmb graniti. Janë të palëvizshme. Tek deklarata Mitcotakis mund të them se bazohet në deklarata të rreme lidhur me pronat, pasi e vërteta është se, qeveria shqiptare është duke marrë në shqyrtim pasuri shtetërore për të investuar në turizëm, jo prona private”, – tha Bushati.

Po ashtu Bushati tha se është diskutuar dhe për Çështjen Çame. “Çështja Çame, që lidhet jo me pretendim territorial, por me të drejta të njeriut, është parashtruar. Kemi dorëzuar edhe një material shterues se si mund të zgjidhet kjo çështje”, – tha Bushati. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjylameti: Studentët të ulen në tavolinën e dialogut dhe jo të jenë pjesë e bllokimit
Artikulli tjetërFier, investime në lagjet e brendshme të qytetit