TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ – “Barcelona” detyron Osman Dembele të mos fikë celularin gjatë natës. Këtë vendim klubi “Katalanas” e mori për shkak të sjelljes jo korrekte të lojtarit.
Duke e mbajtur celularin të ndezur, Dembele mund të marrë një telefonatë në mëngjes, e cila do ta zgjojë në kohë për të shkuar në stërvitje. Gjatë kohëve të fundit Dembele ka shkuar me vonese në stërvitje, pasi fle gjumë shumë vonë. Nëse metodat për ta gjobitur nuk kanë funksionuar, me siguri kjo e radhës mund të jetë e duhura.
Problemi i Dembelesë është shumë i thjeshtë për t’u shpjeguar. Ai nuk është ndonjë dashamirës i jetës së natës, si shumë kolegët e tij. Del shumë pak nga shtëpia. Por e kalon natën duke luajtur video-lojëra dhe duke parë seriale televizivë.
Javët e fundit, Dembele është bërë protagonist jashtë fushës së lojës për vonesat në stërvitje, të cilat i kanë kushtuar në total 200 mijë euro gjobe lojtarit. Këto jane masat që ka marrë skuadra katalanase për francezin deri tani. Në fakt, duket se janë të kota, sepse sjellja e tij nuk ka ndryshuar shumë. Dhe tani Barcelona po mendon një strategji të re për ta futur në rrugën e duhur dhe ta bëjë më të përgjegjshëm për sjelljet e tij jashtë fushës së lojës.
Goli i shënuar nga Osman Dembele kundër “Totenhemit” ishte një nga momentet më të bukura dhe spektakolare të ndeshjeve të fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. E thënë ndryshe: ky djalosh ka kualitet të jashtëzakonshëm, edhe pse te “Barcelona” nuk janë të bindur nëse i kanë shpenzuar siç duhet 150 milionë euro për të në drejtim të “Borusias së Dortmundit”. /o.l/. /a.g/








