Ballina Lajme nga Vendi

Kisha e Shën Prokopit do të ringrihet në kodrat e Liqenit Artificial

TIRANË, 8 prill/ATSH/- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë ortodoksë me rastin e festës së Pashkës.

Ai mori pjesë në pritjen e Kishës Ortodokse ku i përcolli urimet Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos dhe
gjithë besimtarëve të tjerë që festojnë sot.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se kjo ditë duhet t’u shërbejë çdo kujt për të ringjallur shpresën por edhe për të qenë më pranë të pamundurve.

“Një ditë shumë e bekuar sot dhe shpresoj shumë që, ditë të tilla na bëjnë edhe të reflektojmë pak për gjërat që na bashkojnë, që janë shumë më të mëdha se ato që na ndajnë. Në një vend që është i ngarkuar, që zien, që merret me debate që ndoshta ndonjëherë nuk meritojnë të jenë kaq dramatike sa i bëjmë, ditë si e sotmja na shkarkojnë pak energji”, tha Veliaj në urimin e tij.

Në këtë ditë të shënuar për të gjithë besimtarët ortodoksë ai dha për ta edhe lajmin e mirë për rigjallërimin e Kishës se Shën Prokopit në Kodrat e Liqenit të Parkut Artificial.

“Bashkë me kryepeshkopin kemi finalizuar planet për ringritjen e Kishës së Shën Prokopit. Kisha që u prish gjatë kohës së komunizmit dhe u kthye në restorant, u rikthye në kishë, po ende duket si një restorant i stilit sovjetik. Kështu që, më në fund arkitektët e bashkisë dhe të kishës ortodokse kanë rigjetur të saktë të gjithë dizenjot dhe planin e kishës së vjetër dhe besoj në një kontekst fantastik si liqeni që është transformuar, rikthimi i kishës në vendin ku ka qenë, siç ka qenë, është qershia mbi tortë”, u shpreh Veliaj.

Sipas tij, në bashkëpunim edhe me Kishën Ortodokse do hapet një tjetër mensë sociale, ku ata që janë nevojë mund të gjejnë një vakt të ngrohtë.

“Më vjen shumë mirë që Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare na është bashkuar me një mensë tek zona e Shkollës së Kuqe. Bashkia ka hapur 6, por edhe ndihma që po na japin kishat, xhamitë, institucionet e tjera, përfshirë dhe Kishën Ortodokse është për t’u vlerësuar”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj./a.gjonaj//e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTë ardhurat nga akciza rezultojnë 2.3% mbi planin
Artikulli tjetërSHBA – Trump: Jam i bindur që do të arrihet një marrëveshje me Kinën mbi tregtinë