Ballina Kosova

Thaçi fton partitë të bëhen bashkë për interesin shtetëror

PRISHTINË, 20 nëntor /ATSH/ – Presidenti Hashim Thaçi tha se sot nuk kishte fitues, me rastin e dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

“Krekosjet e Beogradit nënkuptojnë hapësirë më shumë për terrorizmin, kriminalitetin, trafiqet e kontrabandës dhe migrimin ilegal. Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme, por këto për vendin dhe shoqërinë tonë nuk janë të mjaftueshme, sepse Kosova ka nevojë ta përfundojë procesin e konsolidimit në botë”, shprehet Thaçi.

Ai tha se ka përcjellë procesin e aplikimit për anëtarësim me shqetësim dhe atë të votimit me dëshpërim të madh, ndërsa gjatë gjithë procesit ka pasur rezervat dhe frikën e një epilogu të tillë.

“Pozita aktuale e Kosovës në arenën ndërkombëtare pamundëson anëtarësime ku kërkohet votim me 2/3-ta. Unë edhe një herë ju bëj ftesë institucioneve shtetërore dhe partive politike parlamentare që të bëhemi bashkë në çështjet e interesit shtetëror, sepse kjo është mënyra e vetme për të siguruar suksese të reja për Kosovën”, tha ai.

Në fund ai ftoi që të kuptohet realiteti aktual dhe domosdoshmëria e arritjes së marrëveshjes paqësore gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që sipas tij, nënkupton njohje reciproke mes dy vendeve dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO dhe BE. /KosovaPress/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMALAJZI – Razak merret në pyetje për shitjen e nëndetëseve franceze
Artikulli tjetërShkodra, mundësi bashkëpunimi me bashkitë e Hungarisë