Ballina Flash

Koçiu: Shqipëria strehë e sigurtë për familjen nga Gaza, trajtim shëndetësor për fëmijën 1 vjeç

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Mbrëmjen e të mërkurës u krye evakuimi për ofrimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri për një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza. 

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau pamjet e mbërritjes së fëmijës së vogël me avion në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe transportimin i tij në Spital Universitar “Nënë Tereza”, ku mori dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

Të pranishëm në aeroport në momentin e mbërritjes së vogëlushit dhe familjes së tij ishte ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu; kreu i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj; drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako dhe zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.

“Një familje e shpërngulur nga Gaza ka gjetur një strehë të sigurtë dhe të ngrohtë në Shqipëri. Fëmija 1 vjeç, i cili kishte nevojë të menjëhershme për trajtim mjekësor, është duke u asistuar me shumë sukses nga stafi i QSUNT”, shkruan Koçiu.

“Falënderime OBSH-së, Bashkimit Europian, Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe zyrtarëve nga Ministria e Brendshme për kontributet e tyre në këtë mision humanitar”, bëri të ditur Koçiu në rrjetet sociale.

“Fëmija ka ardhur me probleme respiratore. Probleme që u evidentuan që në momentin e parë që ka ardhur tek ne. Realizuam ekzaminimet e duhura për të kuptuar gradën e tyre. Është në kontroll të plotë dhe është më mirë dhe po merr mjekimin e duhur. Besojmë se për pak ditë mund të largohet nga shërbimi”, tha Mirela Kole, mjeke pediatre.

Fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës. Familja është vendosur nën kujdes të plotë nga qendra e refugjatëve, ku i janë ofruar të gjitha shërbimet dhe ku po merr dhe trajtim me psikolog.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria i hap derën një familjeje nga Gaza, Rama: Fëmija 1 vjeç trajtim mjekësor në QSUT
Artikulli tjetërHapet “Vila 31 x Art Explora”, Rama: Mundësi e jashtëzakonshme për artistët e rinj shqiptarë dhe të huaj