Ballina Ekonomi

Ngrihet Komisioni i Verës, Denaj: Harmonizojmë sektorin me standardet europiane

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Qeveria miratoi sot projektvendimin për funksionimin e Komisionit të Verës.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila e cilësoi këtë si një hap drejt harmonizimit të sektorit me standardet europiane.

“Vlerësimi dhe regjistrimi i verërave cilësore, me emërtimin “Term Tradicional”, mbyll këtë cikël në përputhje me standardet dhe kërkesat ligjore të BE-së”, tha ministrja.

Sipas saj, rritja e vlerës së produkteve dhe konkurrueshmërisë së verërave shqiptare në tregjet globale, gjeneron më shumë të ardhura për këtë sektor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Shqipëria numëron rreth 11 mijë hektarë vreshta të varieteteve të ndryshme dhe gjatë viteve të fundit prodhimi i verërave është rritur me rreth 11,2%, duke fituar qëndrueshmëri në volumin e prodhimit në rreth 190-195 mijë tonë në vit.

Kjo ecuri pozitive konfirmon potencialin që ka ky sektor për t’u rritur dhe për t’u kthyer në një model të suksesshëm zhvillimi.

/r.e//a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRezidenca artistike “Vila 31 x Art Explora”, Suard: E përfshin Tiranën në rrjetin e platformave të artit bashkëkohor
Artikulli tjetërSHBA i dhuron skaner CT spitalit rajonal Durrës, i shërben rreth 20 mijë pacientëve