Ballina Flash

FSHF nis punimet për fushën e tretë në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Federata e Futbollit, në kuadër të investimeve strategjike për përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend, si dhe në kuadër të projektit “100 fushat”, ka nisur punimet për ndërtimin e një fushe të re në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Kjo fushë e re me bar natyral do të shërbejë jo vetëm për Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”, por edhe për stërvitje të ekipeve kombëtare dhe turne të ndryshme të organizuara nga FSHF në vijim.

Punimet për fushën e tretë brenda ambienteve të “Shtëpisë së Futbollit” po vijojnë me ritme të larta dhe pritet të përfundojnë së shpejti.

Dy fushat me bar natyral në “Shtëpinë e Futbollit” do të përdoren për t’u përgatitur edhe nga ekipet finaliste të Kampionatit Europian U-17, një ngjarje historike që do të organizohet nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n nga data 19 maj deri më 1 qershor 2025.

Federata e Futbollit po punon për të përmbushur çdo kusht të vendosur nga UEFA, me synimin e vetëm për të organizuar Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025” në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ky event do ta vendosë Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për disa ditë me radhë, duke shërbyer si një mundësi e shkëlqyer për promovimin e vendit dhe futbollit shqiptar. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLiceu Francez, vijojnë takimet e Komitetit Pilotues në prefekturën e Korçës
Artikulli tjetërAeroporti i Vlorës, Gazheli: Asistencë në fushën e kontrolleve aeroportuale dhe për procedurat doganore