Ballina Flash

161-vjetori i lindjes së Heroit të Popullit, Isa Boletini

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot, Heroin e Popullit, Isa Boletinin, në ditën e tij të lindjes.

Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës, më 15 janar të vitit 1864. Ai ishte luftëtar e udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar dhe Hero i Popullit.

Boletini u dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1908-1912. Udhëhoqi disa kryengritje kundërosmane në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë etj.

Në ditët e shpalljes së Pavarësisë u vu në krye të përfaqësuesve të Kosovës, si dhe u ndodh në krah të Ismail Qemalit në Vlorë më 1912. Në vitin 1913 si anëtar i delegacionit shqiptar së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë kaloi sërish në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet si udhëheqës popullor. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBegaj: Të rinjtë krijojnë mundësi për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor
Artikulli tjetërRama ndan pamjet: Hijeshia e Korçës nën vellon e dëborës