Ballina Aktualitet

Begaj: Denoncimi i masakrës së Reçakut ndryshoi historinë e Kosovës

TIRANË, 15 janar /ATSH/  Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi sot ngjarjen e 26 viteve më parë të ndodhur në Reçak të Kosovës, ku forcat serbe sulmuan popullatën e pafajshme civile shqiptare, duke vrarë dhe masakruar 45 prej tyre.

Në këtë përvjetor të masakrës së Reçakut, presidenti Begaj nderoi viktimat dhe të gjithë shqiptarët që i rezistuan gjenocidin serb për lirinë e Kosovës.

Kreu i Shtetit njëkohësisht shprehu mirënjohje ndaj ambasadorit amerikan William G. Walker, shef i atëhershëm i verifikuesve të OSBE-së, i cili nga Reçaku i bëri të ditur botës krimin kundër njerëzimit në Kosovë.

“Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj”, – shkruan Begaj në mesazhin e tij të shoqëruar me fotot e disa mediave të kohës, të cilat ndërkombëtarizuan faktet e gjenocidit serb në Kosovë.

“Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Kosovës, u ekzekutuan dhe masakruan barbarisht nga njësitë kriminale serbe 45 shqiptarë civilë të paarmatosur.

Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj.

Lavdi përjetë burrave dhe grave të Kosovës, që qëndruan për lirinë e saj! Mirënjohje Ambasadorit amerikan William G. Walker, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit!”, – shkruan Begaj. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Easy Voyage”: Turistët francezë në zbulim të xhevahirit të Ballkanit, Shqipërisë
Artikulli tjetërKosova mbyll institucione paralele serbe në dhjetë komuna