Ballina Bota

VENEZUELË – Maduro betohet si president në mandatin e tretë, pavarësisht reagimeve të ashpra

RIO DE ZHANEIRO, 10 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro u betua sot për një mandat të tretë, pas zgjedhjeve – të konsideruara nga komuniteti ndërkombëtar dhe opozita si të manipuluara.

Kandidati i tij rival në zgjedhje, Edmundo González, i cili që atëherë është arratisur nga vendi, kishte shpallur synimin e tij për t’u kthyer për t’u betuar si president i vendit të Amerikës së Jugut.

Megjithatë, kjo duket e pamundur pasi ndaj tij është lëshuar një urdhërarresti në Venezuelë.

González, i cili u nis për në Spanjë në fillim të shtatorit, ku kërkoi azil politik, ishte shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale të korrikut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe disa vende të Amerikës Latine e njohin atë si fituesin e vërtetë të zgjedhjeve presidenciale.

Megjithatë, komisioni zgjedhor, i cili është besnik ndaj partisë në pushtet, shpalli fitues Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013.

Bashkimi Evropian nuk e ka njohur fitoren e Maduros, përkundrazi kërkon publikimin e dokumenteve zgjedhore, një kërkesë që autoriteti zgjedhor ende nuk e ka përmbushur.

Një ditë para ceremonisë së betimit të Maduros, mijëra njerëz dolën në rrugë në Venezuelë për të protestuar kundër Maduros.

Për herë të parë pas disa muajsh, liderja e opozitës, María Corina Machado bëri një paraqitje publike dhe u prit me entuziazëm nga turmat në një protestë në Karakas. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla, bashkëbisedim me shqiptarë në Diasporë: Gjatë 2025-ës, shërbimet konsullore do të ofrohen online
Artikulli tjetërVengu: Investime për të modernizuar dhe rritur profesionalizmin në FA