TIRANË, 2 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh sot se skemat e pensioneve kur reformohen nuk mund të funksionojnë me prapaveprim, ndërsa theksoi se “nëse ndodh reformim i skemës së pensioneve kjo është për ata që do të lidhin pension nga tani e tutje”.
Në një intervistë televizive, Gonxhja foli mbi pensionet, ndër temat kryefjalë të vitit që lamë pas.
Ai sqaroi se pse veprohet me bonuse, ndërsa u ndal te përpjekja dhe qendrimi korrekt i qeverisë mbi këtë prioritet.
“Pensionet janë një temë shumë delikate. Çdo reformë që bëjmë ne për pensionet sot, si ajo e vitit 2014, nuk mund të funksionojë me prapaveprim. Skemat e pensioneve kur reformohen nuk mund të funksionojnë me prapaveprim”, theksoi Gonxhja.
Çdo prapaveprim që bëhet me to, sipas ministrit, lidhet me plotësime e kompensime dhe me bonuse.
“Pra rregullime të niveleve që janë sa më afër asaj që është nevoja jetike. Skemat e pensioneve nuk mund të funksionojnë dot me prapaveprim. Të mos i gënjejmë njerëzit. Nëse themi reformim i skemës së pensioneve kjo është për ata që do të lidhin pension nga tani e tutje. Ne duhet të jemi të hapur për këtë gjë”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se qeveria ka një kujdes të veçantë për pensionistët, shtresa më padrejtësisht e shkëputur nga rritja dhe mirëqenia ekonomike”.
“Mirëqenia është e dukshme dhe e prekshme kudo në popullatë. 96 mijë mjete motorike janë regjistruar në 2024 me një vlerë mesatare mbi 12 mijë euro për mjet. Janë duke i blerë shqiptarët dhe kjo është mirëqenie. Gati dyfishi i vitit 2023”, tha Gonxhja.
Sipas tij, opozita nuk ka moral të akuzoj për pensionet pasi është ajo shkaktarja që ne sot kemi pensione nën 20 mijë lekë.
“Ata që sot akuzojnë për gjendjen e pensioneve, opozita, jo që nuk duhet të kenë gojë të flasin, por duhet të fshihen, nëse duhet të kishte moral në këtë histori. Sepse ata që kanë pensione sot nën 20 mijë lekë i kanë për shkak të skemës së bërë nga ata që sot janë në opozitë. Ne nuk mund të paguajmë më shumës e 25% e buxhetit të shtetit për deficitet e pensioneve. Kaq është shuma që jepet sot për të mbuluar gjithë skemën e deficiti, ndërsa 1/4 tjetër e buxhetit shkon për ndihmën sociale dhe pjesën spitalore. Nuk mund t’i thuash një qeverisje që jep gjysëm e buxhetit të vetë për pjesën sociale, që ‘nuk bën gjë, masakruat pensionistët'”, tha Gonxhja.
Ai sqaroi edhe konceptin e bonuseve, ndërsa evidentoi ndihmën e remitancave në ekonomi.
“Me bonuset ne jemi të përgjegjshëm se nëse ndodh një konflikt apo situatë emergjence ne nuk do kemi mundësi nesër t’u themi pensionistëve që po ju zvogëlojmë pensionet. Ndaj punohet me bonsue dhe kompensime. Ne do të bëjmë ç’është e mundur të mos ketë nën minimumin jetik asnjë njeri. Remitancat ndihmojnë shumë qytetarin”, shtoi ai.
/a.f/























