Ballina Bota

KORE E JUGUT – Seuli: Mbi 1000 ushtarë të Koresë së Veriut të vrarë ose të plagosur në luftën Rusi-Ukrainë

SEUL, 23 dhjetor /ATSH-AFP/- Më shumë se 1 000 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë ose plagosur në luftën Rusi-Ukrainë, tha sot Koreja e Jugut, ndërsa Kievi vlerësoi se totali i tyre ishte mbi 3 000.

Pheniani ka dërguar mijëra trupa për të përforcuar ushtrinë ruse, duke përfshirë rajonin kufitar Kursk – të cilin forcat ukrainase e pushtuan, në fillim të këtij viti.

“Ne vlerësojmë se rreth 1 100 ushtarë të Koresë së Veriut kanë vdekur gjatë luftimeve me forcat ukrainase”, thanë në një deklaratë shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut (JCS) – duke cituar burime të ndryshme informacioni dhe të shërbimeve sekrete.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dha më vonë një vlerësim shumë më të lartë, duke shkruar në X – se sipas të dhënave paraprake, numri i ushtarëve të Koresë së Veriut të vrarë dhe të plagosur në rajonin e Kurskut i kishte tejkaluar 3 000.

Zelensky paralajmëroi për rrezikun e dërgimit të trupave dhe pajisjeve ushtarake shtesë nga Koreja e Veriut.

“Pheniani thuhet se po përgatitet për rotacionin ose dislokimin shtesë të ushtarëve – për të ndihmuar përpjekjet luftarake të Rusisë”, tha JCS.

Seuli tha se shërbimet e tij sekrete sugjeruan gjithashtu se Veriu i armatosur me armë bërthamore po prodhonte dhe ofronte drone të vetëshkatërrueshëm për Rusinë – për të ndihmuar më tej Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosovë – SHBA e shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe nga KQZ-ja
Artikulli tjetërGjekmarkaj transferohet në QSUT për ndihmë më të specializuar