Ballina Aktualitet

Gjykata e Tiranës shpall fajtorë 9 persona për ndërtim pa leje, konfiskohen 7 vila në Mullet

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtorë 9 persona për akuzën e ndërtimit të paligjshëm dhe falsifikimit të dokumenteve.

Në një njoftim për mediat, Prokuroria e Tiranës bën të ditur se Armand Prelezi, Klevis Bregu, Manush Teqja, Florian Zela, Abaz Teqja, Mehmet Durishti, Tefta Visha, Dorina Dushku dhe Arblin Harizi kanë ndërtuar pa leje dhe me anë të dokumenteve të falsifikuara 7 vila në zonën e Mulletit.

Me kërkesë të prokurorisë, gjykata po ashtu vendosi konfiskimin e këtyre 7 vilave.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Tiranë u shpallën fajtorë nëntë persona për veprën penale ‘Ndërtim i paligjshëm’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’.

Nga ana e organit të prokurorisë u kryer hetime intensive, si marrja në pyetje e personave, këqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerje e ekspertimeve teknike, dhe në përfundim u konkludua se janë konsumuar elementët e veprave penale, pasi në zonën e Mulletit, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që rezultoi se dokumentacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme, si dhe duke cenuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë.

Në këto kushte, nga ana e prokurorisë u çmua, se ka prova për të proceduar me marrjen si të pandehur dhe shpalljen fajtorë, për veprat penale shtetasit A.P., arkitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”;

K.B., arkitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”;

M. T., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”;

F.Z., i akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”;

A.T., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”;

M. D., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”;

T.V., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”;

D.D., akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”; dhe

A.H, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”

Në përfundim të gjykimit, u vendos dënimi i të pandehurve dhe konfiskimi i 7 vilave të ndërtuara pa leje në ekonomi pyjore nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.

Hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosveprimeve të enteve publike si dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm, për veprat penale të “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTirana merr çmimin “Kryeqyteti i Inovacionit” për qeverisjen vendore
Artikulli tjetër“GenCast” modeli i ri i motit që ofron parashikime 15-ditore