TIRANË, 7 Prill/ATSH/.- “Shqipëria nuk pushon së më mahnituri. Unë jam kaq e lidhur me këtë vend dhe më duket aq i bukur saqë sapo më jepet rasti e shfrytëzoj këtë mundësi për të eksploruar destinacione të reja”.
Kështu e nis shkrimin e saj gazetarja dhe udhëtarja e palodhur italiane, Francesca Masotti, të publikuar në blogun e saj “Francesca on the top World”.
Çdo herë që unë udhëtoj në Shqipëri, jam gjithmonë e befasuar nga shumëllojshmëria e peizazheve, pamjeve që të lënë pa frymë dhe bukurisë së qyteteve historike.
Ashtu si Kruja, një qytet i bukur rreth 40 minuta me makinë nga Tirana që më la pa fjalë. Unë do të jem e sinqertë: përkundër rëndësisë historike, nuk prisja asgjë nga ky vend. Në vend të kësaj, Kruja më befasoi tërësisht. Gjërat për të parë janë kryesisht dy, pazari dhe muzeu i Skënderbeut dhe duke pasur parasysh afërsinë e saj me kryeqytetin, mund të vizitohen brenda një dite.
PAZARI I KRUJËS
Pazari është zemra e Krujës, një vend i gjallë, plot me suvenire të bukura ku është e pamundur të mos ndalosh gjatë një vizite në qytet. Një seri e vazhdueshme e çative me tulla, dyqaneve prej druri dhe guri, qilima me modele gjeometrike tipike të Ballkanit, rrugët me kalldrëm dhe pamjet piktoreske: një mrekulli.
Përveç magneteve klasike të frigoriferit, këtu mund të bëni blerje artizanale interesante, siç janë artikujt shtëpiakë, bizhuteritë, mbulesat e tavolinës dhe qilimat, shumë prej të cilave janë të punuar me dorë (në disa dyqane mund të shihni edhe përpunimin e pëlhurave në kornizë). Tregu u rinovua në vitin 2015, në fakt është arkitektonikisht i patëmetë, i pastër dhe i rregullt. Duke ecur përgjatë rrugës së gurit që të çon në kështjellë dhe në muzeun e Skënderbeut do të ndiheni sikur të jeni katapultuar mbrapa në kohë.
MUZEU KOMBËTAR GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU
Kruja është shtëpia e Heroit Kombëtar më të njohur shqiptar të të gjitha kohërave, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili në shekullin e pesëmbëdhjetë e shndërroi qytetin në një bastion mbrojtës për të luftuar përparimin e Perandorisë Osmane. Edhe sot, pothuajse gjithçka lidhet me mitin e Skënderbeut: muzeu në nder të tij, statuja e madhe që i mirëpret vizitorët në fillim të qytetit të vjetër, suveniret e pazarit. Gjatë vizitës sime në Krujë kisha kënaqësinë të ndiqja një shfaqje teatrale të organizuar nga mësues dhe nxënës të shkollave të mesme, të cilët kishin vënë në skenë disa episode të jetës së heroit.
Vendi që megjithatë, më shumë se çdo tjetër i është dedikuar Kastriotit është Muzeu Skënderbej.
Ndërtesa, e vendosur brenda mureve të Kështjellës së vjetër të Krujës, ku disa njerëz ende jetojnë sot, është aq e bukur dhe madhështore sa menjëherë mendova se mund të përdoret si shesh xhirim për serinë televizive “Game of Thrones”! Brenda tij ka kopje të armëve dhe veprave që përfaqësojnë Skënderbeun në luftë kundër osmanëve. Statuja gjigante në hyrje dhe piktura dramatike në mur në sallën e parë që përfaqësojnë betejën janë gjithashtu të bukura.
Gjatë vizitës sime në muze, unë mund të dëgjoj thirrjen për namazin e mëngjesit nga xhamia afër pazarit: Skënderbeu ishte një mbrojtës i patundur i krishtërimit dhe dy hapa larg muzeut në nder të tij gjendet një xhami e këndshme. Mund të duket e çuditshme, por jo këtu. Respekti për fetë dhe multikulturalizmi është një nga pikat e forta të Shqipërisë, nga të cilat ne italianët duhet vetëm të marrim një shembull. Pjesëmarrja në këtë moment shumë emocional dhe të asistimi në perëndimin e diellit në tarracën panoramike të muzeut, duke admiruar nuancat në qiell dhe dritat e Tiranës në distancë, ishte me të vërtetë emocionuese dhe mistike./k.s//m.m/




























