Ballina Aktualitet

Hapet gara për kreun e Gardës së Republikës

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Ministria e Brendshme ka hapur garën për drejtuesin e ri të Gardës së Republikës.

Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën për aplikim, si dhe dokumentacionin shoqërues për kriteret e përgjithshme e të posaçme, brenda datës 26 qershor 2024.

Sipas MB-së, brenda 45 ditëve nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të posaçme.

Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret e kërkuara dhe të aplikantëve që nuk i plotësojnë këto kushte bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga aplikanti dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.

Më pas, Komisioni do të organizojë seancë dëgjimore me kandidatët.

Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim, për secilin kandidat.

Gara zhvillohet pas vakancës së krijuar nga dorëheqja e komandantit të përgjithshëm të Gardës, Gramos Sako në shkurt të këtij viti.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHasani në Suedi, takim me tre përfaqësues të suksesshëm të komunitetit shqiptar
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE kredi 1 miliardë euro për kompanitë ukrainase