TIRANË, 29 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama dekalroi sot se “administrata jonë ka plot të meta dhe boshllëqe për të mbushur, por nuk është çerdhja ku janë mbledhur të gjithë djajtë dhe ku ndodhin vetëm gjëra të këqija”.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të Planit të Motivimit të Administratës Publike, pjesë e sfidës së Shqipërisë 2030 për anëtarësimin në BE dhe rritjes cilësore të aftësive të shtetit në shërbim të qytetarëve, Kryeministri Rama tha se “shumëkush jeton me idenë e krijuar të një administrate që është një çerdhe njerëzish që gjithë ditën lëvizin lekë nga një xhep te tjetri që gjithë ditën punojnë se si të vjedhin, merren me poshtërsi etj etj, që është një perceptim i ngritur në mënyrë sistematike vit pas viti, muaj pas muaji, dite pas dite dhe natyrisht që ilustrohet me shembuj të caktuar keqbërësish në administratë, të cilët kur ekspozohen për shkak të drejtësisë përdoren për të thënë që këtu janë të gjithë njësoj”.
Në fakt, vijoi Rama, “nuk do guxoja ta bëja këtë fjalim pavarësisht kurajos që nuk më mungon nëse unë vetë nuk do isha i penguar psikologjikisht që ta vlerësoja administratën tonë publikisht”.
“Por qysh nga momenti kur unë kam parë, e kam përjetuar me një krenari të jashtëzakonshme si një përfaqësi e kësaj administrate, flasim për qindra, e ka përfaqësuar Shqipërinë në tryezën e diskutimeve dhe përgatitjeve për negociata në procesin screening, atëherë nuk e kanë fare problem çfarëdo të thotë kush nuk e njeh administratën nga brenda apo e mendon si çerdhen e të gjitha këqijave për shkak të perceptimit, e vërteta është se ne kemi në administratën tonë një aset të jashtëzakonshëm kombëtar dhe ky aset është faktikisht shumatorja e të gjithëve ju dhe shumë të tjerëve si ju”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk është aspak penguese për mua që ta shikoj e vlerësoj punën tuaj si një kontribut të rëndësishëm kombëtar për shkak të rasteve të korrupsionit, keqbërjes, të cilat unë besoj se fakti që po ekspozohen dhe po trajtohen më në fund deri në nivelet më të larta është shumë inkurajues dhe është një arsye tjetër krenarie”.
“Nuk është për të ulur kokën dhe për t’u justifikuar, nuk ka qenë mister, as një rrufe në qiell të pastër. Ka qenë një fakt botërisht shqetësues botërisht i njohur, në proceset administrative, në proceset ndërvepruese mes shtetit e qytetarit ka një dimension shqetësues të abuzimit dhe korrupsionit. Por, është e kundërta e asaj që thuhet. Fakti që publiku sot ballafaqohet me shumë raste që i sheh nuk tregon që korrupsioni është rritur, tregon që korrupsioni po luftohet seriozisht sepse aty kanë qenë problematikat, aty ka qenë korrupsioni, por flitej nga të katër anët, dëgjohej nga të katër anët e askush nuk ekspozohej”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se “për këtë arsye duke u gjendur para këtij ekspozimi të së keqes që është si të hysh në një sallë operacioni e të shikosh të keqen në plagën që është hapur për t’u pastruar vetvetiu krijohet ideja se këtu po ndodh. Këtu po ndodh diçka e rëndësishme edhe në aspektin e nderit të punonjësve të administratës se është e padrejtë se për shkak të një pjesë të njerëzve që janë në administratë, që janë në çdo sektor, të shikohet e gjithë masa e atyre që punojnë si e dyshuar, si e njollosur, si e infektuar”.
k.s/























