Ballina Flash

Macron telefonon Kurtin: Zbatim të marrëveshjeve në Bruksel e Ohër

PRISHTINË, 23 prill /ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pasur një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron, gjatë ditës së sotme.

Siç njofton presidenca franceze, “Presidenti i Republikës rikujtoi mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë e Kosovës dhe integrimin evropian”.

“Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbështetje ndërmjetësimit evropian dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve Bruksel-Ohër”, thuhet në njoftim.

Aty po ashtu thuhet se presidenti Macron përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Megjithatë, ai theksoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, Macron thuhet se shprehu keqardhje për dështimin e votimit për tërheqjen e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

“Ai përsëriti nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja sa më shpejt, me pjesëmarrjen e popullatës serbe”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Francës.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Del në ankand shtëpia ku jetuan tre presidentë amerikanë
Artikulli tjetërStano: Për masat vendos Këshilli në bazë të raportit të Borrellit