TIRANË, 19 prill/ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arreston një punonjës të policisë, për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Sipas njoftimit për media, punonjësi i policisë i arrestuar u konstatua i dehur në timon.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor i Parë F. H., 51 vjeç, me detyrë Specialist i Stacionit të Policisë Rrogozhinë, pranë Komisariatit të Policisë Kavajë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.”, njofton Agjencia Mbikëqyrjes Policore
“Arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë F. H. u krye pasi ai u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.”, përfundon njoftimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Ndërkohë, Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të Policisë së Shtetit të pezullojë menjëherë nga detyra, punonjësin e policisë, Inspektor i Parë F.H, 51 vjeç, me detyrë SPZ, në Komisariatin e Policisë Kavajë.
“Mbështetur në ligj, pezullimi pa pagesë, deri në ndryshim të statusit me vendim të gjykatës, u bë pasi Agjencia e Mbikqyrjes Policore e ka arrestuar punonjësin e policisë për drejtim të automjetit në gjendje të dehur. Gjithashtu Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë për punonjësin e policisë”, njofton Policia e Shtetit.












