Ballina Lajme nga Vendi

Zëri i grave në prioritetet e buxhetit 2019 të bashkisë Tiranë

TIRANË, 21 tetor/ATSH/-  “Merr pjesë, shprehu, vendos” është nisma për të mundësuar që zëri i grave të dëgjohet dhe të vendoset në prioritetet e Buxhetit 2019 të bashkisë Tiranë.

Në Bibliotekën “Musine Kokalari”, me rreth 40 gra dhe vajza të Njësisë Nr.7 të Tiranës, u diskutua se si ato mund të adresojnë më mirë nevojat e tyre në dëgjesat publike, që po vijojnë me bashkinë e Tiranës.

Kjo nismë e ndërmarrë nga Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” me mbështetjen e UN Women Shqipëri dhe në bashkëpunim me bashkinë Tiranë, e shtrirë në njësi administrative brenda qytetit dhe në zonat rurale, vjen si domosdoshmëri që prioritetet në investime dhe shërbime të kenë këndvështrimin dhe zërin e grave gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje.

Në këtë takim të radhës, Fabiola Laco Egro, Drejtore Ekzekutive e “Sot për të Ardhmen” shpjegoi procesin e pjesëmarrjes aktive të grave në dhënien e prioriteteve që ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës dhe sidomos të grave dhe vajzave, rëndësinë e shprehjes, si dhe të monitorimit mbi reflektimin e tyre në procesin e miratimit të buxhetit 2019 nga këshilli bashkiak, nga vetë ato.

Debati përveç diskutimit mbi mbulimin gjeografik dhe tematik të investimeve publike, fokusoi dhe nevojën për rritje të shërbimeve sociale, duke marrë dhe përgjigje të drejtpërdrejta nga përfaqësuesja e Drejtorisë së Shërbimeve Sociale të Bashkisë Tiranë.

Kjo nismë po prek të gjithë arteriet e Tiranës dhe i paraprin procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, me ndërgjegjësim, informim dhe motivim të grave dhe vajzave për të qenë një zë i fortë, konkret dhe kontribues në këtë proces./k.s//e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Teuta” mund “Goga Basket” dhe kap kreun, sot derbi “Partizani”-“Tirana”
Artikulli tjetërPolicia e Shtetit garantoi një sezon turistik të qetë për 2018-ën