TIRANË, 19 mars/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pjesë e Rithemelimit, Gazment Bardhi mori pjesë në takimin me strukturat në Burrel.
Bardhi u shpreh nga Mati tha se opozita e bashkuar ishte një nevojë për Shqipërinë, duke shtuar se PD ka kaluar një periudhë të vështirë.
Ai shpreh optimizmin për rezultate fituese elektorale.
“Besimplotë dhe i inkurajuar nga takimi me demokratët e Matit. 12 vjet keqqeverisje të Edi Ramës janë një kohë e gjatë e humbur nga shqiptarët e ndershëm që presin të ndërtojnë të ardhmen e familjes së tyre në Shqipëri. Mbetet detyrë e jona të luftojmë dhe të jemi në pritshmëritë që shqiptarët kanë për Partinë Demokratike. Sa herë jemi bashkuar kemi treguar se e mundim të keqen”, u shpreh Bardhi.
“Nuk do duhet ta shpallin fitoren që sot, na pret një vit i vështirë përpara, një vit me punë. Ne duam t’ju kemi ju në krah ashtu sikurse ju siguroj në emër të PD që ne do na keni në krah edhe në emër të Sali Berishës”, tha Bardhi në takim.
“Do të duhet ta shfrytëzojmë këtë ditë me kokën lart, sepse kemi çfarë t’i themi qytetarëve. Të trokasin në çdo derë dhe të hyjmë në zemrën e çdo shqiptari”, apeloi ai të pranishmit.
“”Kush thotë që Rama nuk mundet e ka shumë gabim. Të gjithë ne bashkë dhe shumë më shumë jashtë kësaj salle që janë me zemër dhe mendje te ne do ia dalim që në 2025 të sjellim atë ndryshim që nuk e realizuam dot para 4 vitesh”, përfundoi Bardhi.






















