TIRANË 7 mars /ATSH/ Grupi i “Rithemelimit” vijon aksionin e saj për bllokimin e punimeve në Kuvend, duke mos lejuar vijimin normal të seancës plenare. Një pjesë e deputetëve të “Rithemelimit” kanë bllokuar foltoren, ndërsa me zhurmues, shkaktojnë zhurmë duke mos lejuar diskutimet e parashikuara sipas rendit të ditës.
Në seancën plenare të kësaj të enjte nuk marrin pjesë katër deputetë, të cilët rezultojnë të përjashtuar. Deputeti Flamur Noka u pezullua një ditë më parë me 20 ditë jashtë punimeve në Kuvend, deputeti Bledjon Nallbati u pezullua për 10 ditë dhe deputeti Saimir Korreshi për pesë ditë. Po ashtu, i përjashtuar vijon të jetë edhe deputeti Edi Paloka, i cili ka dënimin më të rëndë pasi dogji rregulloren e Kuvendit dhe u përjashtua një javë më parë me 40 ditë nga punimet e Kuvendit.
/r.e/























