TIRANË, 6 mars /ATSH/ Kryetarja e komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Klotilda Bushka, e shoqëruar nga sekretari i këtij komisioni, Klevis Xhoxhi, zhvilloi një takim me studentët e Klinikës së Ligjit, studentë ekselentë pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, të cilët po zhvillojnë praktikën mësimore pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Pasi iu uroi mirëseardhjen dhe përgëzoi për arritjet, Bushka i inkurajoi studentët të përfitojnë sa më shumë nga praktika dhe eksperienca në Kuvend dhe komisionet parlamentare.
Duke ndarë me ta eksperiencën e saj të dikurshme në Klinikën Ligjore, Bushka iu sugjeroi të luajnë një rol sa më aktiv në promovimin e të drejtave të njeriut dhe të angazhohen në nisma në dobi të komunitetit, duke ndihmuar me këshillim juridik falas për grupet në nevojë.
Gjatë diskutimit, Bushka i inkurajoi studentët të vijojnë studimet dhe të bëhen pjesë e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, të cilat kanë nevojë që të plotësohen me breza të rinj dhe ku të përfaqësohen të gjitha rrymat e shoqërisë.
Studentët ndanë me Bushka dhe Xhoxhi eksperiencat e tyre të deritanishme, qasjen e tyre ndaj praktikës mësimore dhe u angazhuan me punë kërkimore dhe opinione ligjore në kuadër të procesit legjislativ pranë komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.


















