BERLIN, 16 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti izraelit, Isaac Herzog dhe homologu i tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier u takuan sot në Berlin për të diskutuar situatën në Lindjen e Mesme dhe luftën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës.
“Të dy liderët diskutuan situatën katastrofike humanitare të palestinezëve në Rripin e Gazës, gjendjen e pengjeve izraelite që mbahen nga grupi militant palestinez Hamas si dhe rrezikun e përshkallëzimit të situates në rajon”, sipas zyrës së Steinmeier.
“Ne kemi nevojë për një perspektivë politike për t’i dhënë fund luftës, për sigurinë e Izraelit dhe dinjitetin e palestinezëve”, theksoi Steinmeier.
“Sa më e gjatë të jetë lufta, aq më të vogla janë shanset që kjo të ndodhë”, tha ai.
Steinmeier bëri thirrje gjithashtu për vazhdimin e bisedimeve për lirimin e pengjeve, duke përfshirë një armëpushim, të paktën për një periudhë të kufizuar kohore.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha sot se Izraeli nuk do ta pranojë zgjidhjen me dy shtete pas luftës së Gazës.
Ky ishte takimi i dytë midis Herzog dhe Steinmeier që kur Hamasi nisi sulmet brutale ndaj Izraelit më 7 tetor, ku u vranë rreth 1200 persona, shumë prej tyre civilë. Steinmeier vizitoi Izraelin në fund të nëntorit. //a.i/























