PRISHTINË, 10 shkurt/ATSH/- Natalia Kostina nga Agjencia Ukrainase e Lajmeve UKRINFORM, vlerëson se Kosova ka problem me propagandën serbe, njëjtë sikurse Ukraina që sfidohet me propagandën ruse.
Në një intervistë për KosovaPress, Kostina thotë se për shkak të luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë, 16 gazetarë ukrainas kanë mbetur të vdekur derisa ishin në krye të detyrës.
“Është një diversitet shumë i madh, sepse ne kemi disa sfida të përbashkëta, ndoshta financat, besimin, etj. Ne kemi nivele absolutisht të ndryshme të sfidave të tilla si dezinformimi”, deklaron Kostina.
Kostina konsideron se sa i përket dezinformatave dhe propagandës, ruse shteti saj është vendi kryesor në rajon.
“Është një periudhë e vështirë. Unë mendoj se të gjithë në Ukrainë theksojnë pas gati dy vitesh luftë, por sa për mediat, ato janë vërtet shumë profesionale në rastin e propagandës ruse. Ukraina me të vërtetë do e sjellë në gjykatë. Dhe unë mendoj se do të jetë një përvojë e tillë dhe pasi një vend tjetër mund ta përdorë ndoshta. Pra, mendoj se në luftimin e dezinformatave ne jemi në një vend kryesor në rajon, por kryesisht në lidhje me propagandën ruse. Mendoj se në Kosovë keni sfida të ngjashme por me disa akterë të tjerë”, potencon Kostina.
Duke folur për sfidat që janë ballafaquar gazetarët gjatë raportimit, Kostina thotë se 16 gazetarë ukrainas janë vrarë në luftë për shkak të përgjegjësisë profesionale, disa civilë, dhe tjerët sepse shërbenin në ushtri.
“Raporti i fundit i sindikatës sonë kombëtare të gazetarëve… Pothuajse 80 gazetarë të vrarë në Ukrainë, 16 për shkak të përgjegjësisë profesionale, disa civilë, dhe tjerët sepse shërbenin në ushtri. Pra, në fillim të luftës, ndoshta shumica e gazetarëve, dua të them, gazetarët aktivë vendosën të shkojnë në luftë si ushtarë. Sepse ata vendosën se është më e rëndësishme të mbrohesh me armë sesa të mbrohesh me fjalë”, thotë ajo.
Sipas saj, të gjithë njerëzit ende vuajnë në të njëjtin nivel nga lufta që është zhvilluar aty.
“Nuk është një lloj kategorie njerëzish që kishin disa preferenca. Është ende sikur të gjithë njerëzit e Ukrainës, dua të them se vuajnë në të njëjtin nivel”, përfundon Kostina.
Kostina e cila ishte pjesëmarrëse në 25-vjetorin e Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, po ashtu bëri thirrje që të mbrohen privilegjet që kanë demokracitë e reja.
KosovaPress shënoi 25-vjetorin e themelimit me shumë marrëveshje ndërkombëtare
“25-vjetori i KosovaPress-it po shënohet me shumë marrëveshje ndërkombëtare”, ka deklaruar presidenti i Agjencisë së Lajmeve, Skender Krasniqi.
Në shënimin e çerekshekullit të KosovaPress-it mbajtur të enjten, Krasniqi foli për sfidat, punën, bashkëpunimet dhe anëtarësimet në agjencitë e lajmeve të Evropës dhe Ballkanit. Ai para pjesëmarrësve tha se me anëtarësimin në rrjetin e agjencive më të mëdha, ABNA-SE dhe EANA, agjencisë së pavarur dhe Kosovës iu hapen dyer shumë më të mëdha.
“Bëje çdo ditë të domosdoshmen – dil në punë, bëje punën e përditshme” dhe “të mundshmen – kur t’i përfundosh këto shiko çka mund të bëni më shumë”, këto janë dy motot që sipas Krasniqit, KosovaPress ka arritur të shënojë suksese deri më tani.
Periudha e pasluftës, mbijetesa, stabilizimi dhe rritja e zhvillimit në nivel regjional e botëror, janë disa nga sfidat që përmendi presidenti i KosovaPress-it, Skender Krasniqi.
Teksa falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e klientët për punën e jashtëzakonshme për më shumë se dy dekada, Krasniqi tha se KosovaPress ka arritur të ruaj pavarësinë mediale.
Para ambasadorëve, e përfaqësuesve të mediave nga vende të ndryshme, ai theksoi se KosovaPress po kontribuon në informimin real të botës mbi Kosovën dhe rreth saj.
Më tej, Krasniqi përmendi edhe anëtarësimin e KosovaPress-it në rrjetin e Agjencive të Lajmeve të Ballkanit ABNA-SE dhe të Evropës-EANA në shtator të vitit 2022.
Nga viti 2018, Agjencia e Lajmeve KosovaPress, siç tha Krasniqi, po udhëhiqet nga dy gra të suksesshme, Suzana Hashani-Rakovica e Merita Gashi.
Agjencia e Lajmeve KosovaPress ishte mikpritëse edhe e konferencës ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, për nder të 25-vjetorit të themelimit të saj, e cila u mbajt të enjten në Prishtinë.
Kjo konferencë bashkoi në Prishtinë më shumë se 20 agjenci botërore të lajmeve nga e gjithë Evropa dhe Ballkani, ku merrte pjesë edhe drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa.
Anëtarët e rrjetit më të madh evropian të agjencive të lajmeve EANA (www.newsalliance.org) si dhe atij të Evropës juglindore ABNA SE (www.abnase.com), rrjete këto ku KosovaPress-i është anëtar, ishin të pranishme në këtë aktivitet.
Drejtori i Press Assocation, Alan Marshall ka deklaruar se keqinformimi dhe përmbajtja e rreme janë një sfidë e madhe me të cilën po ballafaqohen mediat.
Në konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, për nder të 25-vjetorit të themelimit të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, Marshall ka thënë se janë duke u munduar të shikojnë kë kanë audiencë në mënyrë që të verifikohen lajmet.
“Në Mbretërinë e Bashkuar sikurse në vendet tjera, nuk jemi imun ndaj sfidave, modeleve të bizneseve që dalin çdo ditë dhe kemi parë shumë ndryshime në tregun tonë, sidomos këto ndryshme në lidhje me konsolidimin. Ka pasur një kufizim në lidhje me lajmet e nivelit lokal dhe vendor, por e kemi edhe këtë pjesë të modelit digjital që nuk është akoma një bazë stabile dhe këtë e kemi parë këto viteve të fundit ku e kemi rritjen e modeleve të abonimeve online, rritjen në numrin e abonueseve të klientëve, por akoma nuk është ajo pjesa e konfidencës e mjaftueshme të stabilitetit që ajo pjesa bazë, pastaj inteligjenca artificiale që ndryshon çdo ditë, e kemi Facebook, Google dhe është mjaft e lehtë qe të ketë ndikim në një model të tillë të biznesit. Pra, janë sfida të vazhdueshme, si për klientët tanë por gjithashtu edhe për ne. Çfarë po mundohemi të bëjmë është të mendojmë kënd e kemi audiencë për të verifikuar përmbajtjen e lajmeve dhe si mund ta kemi një produkt i cili përshtatet me këto dhomat e lajmeve”, ka deklaruar Marshall.
Mes tjerash, Marshall tha se janë duke shikuar mundësitë që njerëzit të sjellin informacione të sakta dhe të besueshme për audiencën, në këtë formë të luftohen përmbajtjet e rreme.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka thënë se Agjencia e lajmeve KosovaPress e ka ngritur nivelin e gazetarisë në Kosovë.
Gashi, në konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, për nder të 25-vjetorit të themelimit të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, tha se kjo e fundit në vitin 1999, kur po ndodhte lufta në Kosovë është shfaqur si kampion i së vërtetës dhe simbol i rezistencës.
“Në janar të vitit 1999, ndërkohë që ka ndodhur lufta në Kosovë, KosovaPress është shfaqur si kampion i së vërtetës dhe simbol i rezistencës së popullatës në Kosovë. Gjatë çerekshekullit të kaluar Kosova ka kaluar në shumë sfida të shtetndërtimit, por KosovaPress ka mbetur një partner i qëndrueshëm për shtetin dhe shoqërinë tonë në zhvillim e sipër. Mund të paramendoj sesi përpjekjet e brendshme në ndërtimin e mediave të pavarura, në ndërkohë që është ndërtuar edhe shteti dhe tregojnë realitetin e asaj se çka kemi përjetuar edhe si shtet. Kjo është dëshmi se KosovaPress duhet të lavdërohet për punën e vet dhe profesionalizmin. Prej fillimeve të veta KosovaPress ka qenë agjenci serioze në Kosovë dhe rajon”, ka deklaruar ajo.
Camille Bouissou nga agjencia franceze e lajmeve AFP, ka deklaruar se sfidat për lirinë e mediave po rriten çdoherë e më shumë por agjencitë e lajmeve duhet të përpiqen të jenë imune deri në qetësimin e polarizimeve.
Bouissou tha se për t’i bërë njerëzit të paguajnë, duhet të bëhet kontrollimi i fakteve, daljen në terren dhe të jenë të pa zëvendësuar.
“Askush nuk do t’i paguaj produktet tona nëse nuk jemi të shkëlqyer në punën tonë dhe kjo është e para për të përfituar të hollat, që kurrë mos të dorëzohemi në terren, qoftë ky terreni në Ukrainë, Gaza apo edhe ai virtual ku shfaqen dezinformatat. Duhet të përshtatemi dhe mos të ikim prej mënyrës se si gjeneratat e vjetra i marrin lajmet sepse nëse mbetemi të bllokuar në gazeta dhe varemi prej klientëve me rëndësi të lartë, do të na ikë ky trend dhe mendoj që nuk duhet ta lejojmë që ky trend të na ikë dhe për këtë arsye para disa viteve se kemi ide të reja se si t’i transmetojmë lajmet dhe klientët tanë që të rinjtë të kenë qasje në lajmet tona sepse duam të jemi aty dhe t’i tregojmë klientëve tonë se po mendojmë për këtë dhe po mendojmë se si të jemi aty dhe t’i ndihmojmë klientëve atyre, kështu që na besojnë dhe mbesin klientë besnik”, tha ajo.
Sipas saj, e veçantë në agjencinë e tyre është puna e tyre me platformat madhore google, meta tiktak dhe Microsoft, tani janë klient si çdo klient tjetër dhe bashkëpunojnë me ta dhe kontrollimi i fakteve është diçka që kanë nis që nga 2017, dhe tanimë kanë mbi 140 kontrollues të fakteve.
KosovaPress është duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që Kosova të njihet përtej kufijve, ka thënë drejtoresha Suzana Rakovica-Hashani, duke shtuar se është jetike interesi i publikut për t’u informuar saktë e drejt.
Për drejtoreshën e KosovaPress-it, është jetike interesi i publikut për informim të saktë dhe të drejt.
“Ne e shohim jetike interesin e publikut për t’u informuar saktë, drejt, prandaj do të vazhdojmë me përkushtim dhe bashkëpunim me të gjitha agjencitë tjera, të cilat janë të shumta në këto organizata. Ne sot jemi mbledhur këtu për të reflektuar mbi vlerat dhe rolin tonë të përbashkët në promovimin e lirisë së shprehjes, brenda normave etike dhe profesionale, të diskutojmë se si këto vlera të forcohen duke përdorur edhe transformimin teknologjik që në fakt jemi detyruar për të ju përgjigjur trendëve bashkëkohore”, u shpreh ajo.
Paneli i parë u drejtua nga Branka Gabriela Vojvodic nga Agjencia e Lajmeve Kroate HINA dhe përbëhej nga: Alan Marshall nga PA Media Group të Mbretërisë së Bashkuar, Camille Bouissou nga Agjencia Franceze e Lajmeve AFP, Natalia Kostina nga Agjencia Ukrainase e Lajmeve UKRINFORM, Aimilios Perdiakris nga Agjencia Greke e Lajmeve ANA-MPA dhe Rodolfo Cardarelli nga Agjencia Italiane e Lajmeve ANSA. Ky panel diskutoi për çështje kritike si dezinformimi, përparimet teknologjike, rreziqet e sigurisë për gazetarët dhe qëndrueshmërinë financiare të agjencive të lajmeve në peizazhin e botës bashkëkohore mediatike.
Në panelin e dytë, folës ishin presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymeri, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Tualant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror.
/KosovaPress/























