Ballina Bota

MV – Kovaçevski dorëzon dorëheqjen në parlament

SHKUP, 25 janar /ATSH-MIA/ – Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski sot paradite  dorëzoi personalisht në parlament dorëheqjen së bashku me qeverinë, ndërkohë që më 28 janar do të zgjidhet qeveria e re.

Kryeministri Kovaçevski dha një deklaratë të shkurtër për median para parlamentit, në të cilën theksoi arritjet më të mëdha në mandatin e kësaj qeverie, ndërsa për kryeministrin teknik Talat Xhaferi tha se është politikan me përvojë.

Ai vlerësoi se stili do të jetë i ndryshëm, por shteti do të ruajë drejtimin e tij strategjik.

“Patëm takim joformal me ministrat në të cilin i falënderova për punën e tyre të palodhur gjatë këtyre dy viteve të kaluara. Sot, siç thash, do ta bëj atë që sipas ligjit është paraparë. Dorëheqja ime është nënshkruar, tani do ta parashtroj në arkiv. Do të shihemi me kryetarin e parlamentit, do t’i dëshiroj procedurë të suksesshme deri të dielën, ndërsa pastaj edhe zgjedhjen e tij të suksesshme për kryeministër teknik”, tha Kovaçevski.

Kovaçevski shprehu bindje se më 9 maj ai do të kryesonte qeverinë e re.

“Unë erdha me përvojë tjetër në udhëheqjen e korporatave, kështu që, sipas gjitha gjasave stili do të jetë i ndryshëm, megjithatë shteti gjithsesi se do ta ruajë drejtimin e tij strategjik, ndërsa ai është orientimi perëndimor, partneriteti strategjik në SHBA dhe qeveria teknike gjithashtu do të kujdeset për qytetarët sepse ende jemi në krizë kështu që ne këtë e bëmë gjatë dy viteve të kaluara. Kjo është diçka që është paraparë sipas ligjit, më 9 maj qeverinë përsëri do ta kryesoj unë dhe këtë shumicë parlamentare e cila do të sigurojë anëtarësim të plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se kishte pasur nderin dhe kënaqësinë të ishte kryetar i qeverisë.

Sipas paralajmërimeve të djeshme të kryetarit të Kuvendit, ai pasi ta pranojë dorëheqjen e Kovaçevskit, do ta informojë presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski për këtë, ndërsa pastaj gjatë ditës edhe ai do të japë dorëheqje.

Dorëheqja e Kovaçevskit është hapi i parë formal-juridik drejt formimit të qeverisë teknike e cila duhet të zgjidhet më 28 janar./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBlerje banesash, BSH: Normat e interesit për kreditë në lek 4.49%
Artikulli tjetërOsmani pret Pendarovskin: Me Maqedoninë e Veriut, raporte të shkëlqyera dhe projekte të shumta