TIRANË, 12 janar/ATSH/ Në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, Policia e Shkodrës arreston babë e bir, të cilët akuzohen për tregtim të lëndëve narkotike.
Sipas Policisë, të ndaluarve iu gjetën rreth 26.4 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, në afërsi të banesës së tyre, me qëllim shitjen, vihen në pranga babë e bir.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se 2 shtetas mbanin në banesën e tyre, në fshatin Vukpalaj, sasi të konsiderueshme lënde narkotike cannabis sativa, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe organizuan punën në kuadër të planit operacional antidrogë të koduar “Tempulli” dhe finalizuan operacionin policor të koduar Vukpalaj””, njofton Policia.
“Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit P. D., 63 vjeç dhe A. D., 35 vjeç (babë e bir). Nga kontrollet në ambientet përreth banesës së të arrestuarve, u gjetën rreth 26.4 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, gati për t’u shitur. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pajisje presimi, një peshore elektronike dhe qese për ambalazhim, të cilat u gjetën gjithashtu në këto ambiente”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.






















