TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Komisioni i Prokurimit Publik dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i KLP, Alfred Balla dhe kryetari i KPP, Jonaid Myzyri.
Kjo marrëveshje përmbush dhe një nga obligimet që rrjedhin nga rekomandimet e përcaktuara në raportin e fundit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik.
Kjo marrëveshje i paraprin takimit dypalësh të mbajtur mes krerëve të institucioneve më datë 27 shtator të këtij viti, si edhe miratimit të marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në seancën plenare të datës 30 nëntor të këtij viti.
Marrëveshja në fjalë synon të përforcojë marrëdhëniet midis Komisionit të Prokurimit Publik dhe prokurorisë përmes realizimeve të trajnimeve të përbashkëta me interes në fushën e prokurimit publik.
Kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, Myzyri falënderoi Kreun e KLP dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për realizimin e kësaj marrëveshjeje duke e quajtur një gur themeli të rëndësishëm në përforcimin e kapaciteteve të zyrtarëve të prokurimit publik dhe ndarjes së praktikave të përbashkëta.
Balla gjithashtu shprehu gatishmërinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të rritur dhe forcuar më tej bashkëpunimin midis dy institucioneve.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, shoqërohej nga anëtari i Komisionit të Prokurimit Publik, Kreshnik Ternova dhe këshilltari i tij, Alban Përmeti.
/r.e/






















