TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një takim me drejtoreshën e përgjithshme të Institutit Kombëtar Demokratik, Ana Kovaçeviç.
Në një postim në rrjetet sociale, Jole tha se “gjatë takimit biseduam lidhur me misionin e kësaj organizate, sidomos sa i takon forcimit të rolit të të rinjve në komunitetet tona, ide se si mund të pasurohen aktivitetet e tyre me ndikim pozitiv për karrierën e tyre dhe kontributin që ata duhet të japin në ekosistemin shoqëror dhe atë institucional”.
Në kuadër të diskutimit të kësaj tematike, Jole mori pjesë edhe në mediumin e organizuar nga NDI, për nxitjen e frymës së dialogut ndërkulturor e ndërfetar me brezin ri, në bashkëpunim me drejtues të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe aktorë të tjerë institucionalë, universitetin, shoqërinë civile, komuniteteve fetare, etj.
Në fjalën e tij në këtë medium, Jole theksoi domosdoshmërinë që Këshillat Vendorë Rinorë pranë bashkive të konsolidojnë veprimtarinë e tyre, duke shërbyer si ura komunikimi e ndërveprimi mes të rinjve dhe vendimmarrësve.
“Përkrahja e të rinjve është detyrim i të gjithëve, sidomos e institucioneve shtetërore, në mënyrë që ata të fitojnë përvojë dhe besim për angazhimet e tyre profesionale të së nesërmes, por edhe të bëhen pjesë e angazhimeve për të dhënë kontributin e tyre në proceset vendimmarrëse”, tha Jole.
/k.s/r.e/














