Ballina Aktualitet

Balla: Policia Bashkiake do të angazhohet në mbrojtjen e territorit

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se Policia Bashkiake do të angazhohet në mbrojtjen e territorit.

Nga Fieri, pas një takimi për Dialogun Vendor, ku i pranishëm ishte dhe Ministri i Shteit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, Balla u shpreh se synohet një koordinim më i mirë mes pushtet vendor dhe atij qendror, si dhe inspektorateve vendore për të patur një kontroll më të mirë mbi territorin.

“Duhet të rrisim kontrollin përmes një roli të ri që do të marrë polica bashkiake, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit”, tha ai.

Ai bëri të ditur se u ka kërkuar krerëve të bashkive që të ridimensionojnë rolin e policive bashkiake.

“Nuk mund të jenë më vende qokash, por duhet të jenë mbrojtësit e territorit. Me ligjin e ri i kemi rritur kompetencat, madje i janë dhënë kompetenca të reja, si ajo për ruajtjen e bregdetit në koordinim me të gjitha institucionet e tjera”, u shpreh Balla.

Balla informoi se do të ndërmerren procedura të reja edhe në procesin e rekrutimit.

“Gjatë procesit të rekrutimit do të kërkohet të respektohen jo vetëm kriteret e përcaktuara, por çdo punonjës i policisë bashkiake do të duhet të kryejë trajnim të detyrueshëm 4-javor në Akademinë e Sigurisë për të garantuar që policët bashkiakë të kenë aftësi profesionale”, deklaroi ministri Balla.

Sipas tij, këtu do të përfshihet edhe shkolla e administratës publike. Ministri po ashtu theksoi se me vendim të qeverisë janë përcaktuar dhe uniformat e reja të policisë bashkiake.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOP28 – SHBA shpall rregulla të rrepta për emetimet e metanit
Artikulli tjetërFOKUS – Furnizimet e ndihmave mbërrijnë në Gaza pas ndalimit