Ballina Flash

Në prag përfundimi restaurimi i godinës historike të Teatrit të Kukullave

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dha sot lajmin e mire se puna për restaurimin e godinës historike të Teatrit të Kukullave, ish-parlamenti i parë shqiptar, po shkon drejt përmbylljes.

Falë programit EU4Culture, që po zbatohet nga UNOPS, godina i është nënshtruar një “operacioni” delikat, që të mund të mbeten të pacenuara vlerat arkitekturore dhe historike.

Në strukturën ekzistuese të Teatrit të Kukullave ka përfunduar përforcimi i themeleve të godinës, përforcimi i kolonave dhe mureve të brendshme dhe rindërtimi i çative me strukturë të re me binarë druri. Ka filluar restaurimi i fasadës duke kryer analizat e ngjyrave të përdorura gjatë viteve, për t’i dhënë objektit pamjen origjinale. Janë zbuluar dhe evidentuar shtrimet e vjetra të dyshemesë, të cilat do të restaurohen në përfundim të punimeve ndërtimore.

Në pjesën e pasme të teatrit ka përfunduar ndërtimi i skenës së re me lartësi 11m. Kanë filluar punimet e muraturës së tullës, instalimet mekanike, elektrike dhe ndërtimi i tavanëve te varur.

Pas përmbylljes së punimeve do të vijohet me mobilimin dhe vitin që vjen Tirana do të ketë një qendër të re kulturore në zemër të saj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakROMË – Italia goditet nga një valë masive grevash
Artikulli tjetërHISTORI – Lindja e Izraelit dhe çështja e Lindjes së Mesme