Ballina Aktualitet

Soreca-Ruçit: Objektivi ynë i qartë, Shqipëria në BE

TIRANË, 12 tetor /ATSH- I. Vata/ – “Objektivi i BE-së është i qartë, Shqipëria duhet të jetë në BE, deklaroi sot ambasadori i BE-së Luigi Soreca, në takimin e zhvilluar sot me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Gjatë takimit, Kryeparlamentari Ruçi informoi gjerësisht mbi veprimtarinë dhe kontributin e Kuvendit në tre aspektet kryesore si kurorëzimin me sukses të hapjes së negociatave në qershor 2019; vazhdimin me vendosmëri të reformës në drejtësi dhe procesit të Vettingut; përfundimin e reformës zgjedhore.

“Kuvendi është i angazhuar për realizimin e të gjitha detyrimeve të tij për kurorëzimin me sukses të hapjes së negociatave në qershor 2019”, tha theksuar Ruçi.

Duke folur për rekomandimet e Komisionit Europian, Ruçi tha se “pas publikimit të raportit me rekomandimet e Komisionit Europian për Shqipërinë, në maj 2018, Kuvendi hartoi Planin e Veprimit me 6 objektiva dhe 46 masa për realizimin e tyre. Deri më 1 tetor janë realizuar 22 nga 37 masa të parashikuara për  periudhën 1 maj-31 tetor 2018, ndërsa 15 masa janë në proces. 9 masat e tjera janë programuar të realizohen gjatë periudhës 1 nëntor 2018 – prill 2019”.

Përsa i përket punës së Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE, Ruçi vuri në dukje se “Kuvendi ka miratuar 7 ligjet prioritare që shoqërojnë amendimet Kushtetuese, përfshirë ligjin për vetting-un, dhe në total ka miratuar 17 nga 27 projektligjet e reformës në drejtësi. Ndërkohë, Komisioni për Çështjet Ligjore ka në proces shqyrtimi 7 projektligje të reformës. Gjatë periudhës Mars-30 Shtator 2018 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar procedurën e rivlerësimit për 49 gjyqtarët dhe prokurorët të listës prioritare me 57 gjyqtarë dhe prokurorë.  25 nga 49 ose 48% të shqyrtuarve, janë larguar nga sistemi dhe 27 janë konfirmuar”.

Duke folur për reformën në drejtësi, Ruçi tha se ngritja e institucioneve të reja të reformës në sistemin e drejtësisë është i kushtëzuar nga procesi i vetingut si edhe konstituimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore, Kryetari i Kuvendit nënvizoi se Komisioni i Reformës ka bërë një punë të shkëlqyer, por është i nevojshëm vullneti politik i partive, të cilat duhet të afrohen në qëndrimet e tyre, në emër të interesave të vendit. “Nëse partitë arrijnë një kompromis, reforma miratohet që nesër”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit

Ndërsa nga ana e tij, ambasadori Soreca nënvizoi se tetë muajt e ardhshëm janë vendimtarë për Shqipërinë.

“Objektivi i BE-së është i qartë: Shqipëria duhet të jetë në BE dhe për këtë po punojmë të gjithë”, u theksoi Ambasadori Soreca.

Në lidhje me integrimin e Shqipërisë ambasadori shtoi se për këtë duhen rezultate konkrete, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Reforma në drejtësi po lavdërohet për kurajon dhe përgjegjësinë që po demonstrohet për zbatimin e saj. Vetting-u po funksionon, por është shumë e rëndësishme të krijohen organet e reja të sistemit dhe për këtë duhen shtuar përpjekjet. Për sa i përket reformës zgjedhore, ajo po shkon drejt përfundimit, por për këtë duhet që partitë të mbështesin më shumë Komisionin e reformës dhe të arrijnë një kompromis në të mirë të vendit”. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/Kantieret e kulturës në Vlorë dhe Sarandë me tabela orientuese
Artikulli tjetërSTOKHOLM – Maryse Conde merr çmimin zëvendësues të Nobelit në Letërsi