Ballina Flash

Mbrojtja Civile, vizitë studimore në Portugali për menaxhimin dhe parandalimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Një delegacion i nivelit të lartë i sistemit të mbrojtjes civile shqiptare, i kryesuar nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako në bashkëpunim me UNPD në Shqipëri, zhvilloi një vizitë studimore në Portugali gjatë muajit tetor, për të parë praktikat efektive të menaxhimit dhe parandalimit të riskut nga fatkeqësitë.

Kjo vizitë studimore shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të përgatitjes dhe rritjes së kapaciteteve për reagim në rast emergjencash në Shqipëri dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar me anëtarët e mekanizmit evropian të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Gjatë takimit me homologun Duarte da Costa, presidentin e Autoritetit për Emergjencat dhe Mbrojtjen Civile të Portugalisë dhe delegacionit shqiptar u diskutua për mbështetjen dypalëshe dhe mundësinë e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi mes dy autoriteteve të mbrojtjes civile që do të parashtrojë planet për bashkëpunim, veçanërisht në fushat e rritjes të kapaciteteve të personelit dhe fazave të përgatitjes dhe përgjigjes për emergjencat civile në vendet respektive.

Drejtori i përgjithshëm i AKMC, Haki Çako mori ftesën nga homologu i tij portugez për të diskutuar së bashku edhe me homologun spanjoll, si anëtar i mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, mundësinë e marrjes pjesë në një ushtrim trilateral që përfshin Spanjën, Portugalinë dhe Shqipërinë. Ky ushtrim ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe ndarjen e praktikave më të mira në përgatitjen dhe reagimin ndaj emergjencave.

Delegacioni shqiptar u njoh me modelin mjaft efektiv dhe inovativ portugez për trajnimin e zjarrfikësve në Shkollën Kombëtare të Zjarrfikësve në bashkinë e Sintrës. Ky model ofron mundësi për replikim në Shqipëri për të trajnuar zjarrfikësit dhe pjesëtarë të forcave operacionale të mbrojtjes civile. Gjatë vizitës në Institutin Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA), simotra e Institutit Shqiptar të Gjeoshkencave, u diskutua mbi shkëmbimin e informacionit mes 2 institucioneve, për të përmirësuar ndarjen e të dhënave gjeoshkencore dhe për të kontribuar në përmirësimin e menaxhimit të fatkeqësive.

Vizita shërbeu si një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, duke fuqizuar kuadrin për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë në Shqipëri, në nivel qendror dhe vendor. Si anëtarë të mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, Portugalia ka pranuar të ndajë modulet edukative të saj në lidhje me zjarret në pyje, përmbytjet dhe tërmetet me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile shqiptare, duke kontribuar kështu në forcimin e kapaciteteve të menaxhimit të fatkeqësive në Shqipëri.

Delegacioni shqiptar u njoh edhe me projektin “Fshat i Sigurt, Njerëz të Sigurt” të Portugalisë, një iniciativë e fokusuar në mbrojtjen e komuniteteve në zonat e urbane/pyjore dhe në ngritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin e zjarreve në rajonet e prirura për këto fatkeqësi.

Autoriteti për Emergjencat dhe Mbrojtjen Civile në Portugali, pjesë e mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, është një model i njohur për menaxhimin e integruar dhe të qëndrueshëm të fatkeqësive. Delegacioni shqiptar, i përbërë nga përfaqësues të nivelit të lartë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe aktorë të tjerë të mbrojtjes civile, u njohën me qasjen e Portugalisë në koordinimin dhe bashkëpunimin me autoritetet rajonale dhe vendore, dhe përfshirjen e grupeve të interest në menaxhimin e fatkeqësive si komunitetet vendase, OJF-të dhe sektorin privat.

Vizita në Portugali u organizua dhe u mbështet nga projekti “Fuqizimi i Aftësive Ripërtëritëse në Shqipëri” RESEAL, që zbatohet nga PNUD me financim të qeverive suedeze e portugeze dhe që po mbështet Shqipërinë në forcimin e aftësive në menaxhimin e fatkeqësive në përputhje me legjislacionin e BE-së, si anëtare e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe standardet ndërkombëtare.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Bislimi: Agresioni serb në Banjskë mund të zhbëjë progresin e bërë përmes dialogut
Artikulli tjetërBM – Ministri i Jashtëm viziton Izraelin për të treguar solidaritet pas sulmeve