Ballina Ekonomi

Optimizëm për rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Enio Jaço zhvilloi një takim me Të Ngarkuarin me Punë, në Ambasadën amerikane, David Wisner.

Jaço bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi potencialin dhe mundësitë për investime amerikane në Shqipëri.

Jaço u shpreh optimist për rritjen e investimeve në dekadën e ardhshme, megjithëse thekson se reforma thelbësore duhet të kryhen në Shqipëri për të krijuar një klimë biznesi të fortë që të tërheqë më shumë investitorë amerikanë.

“Pata një diskutim premtues me David Wisner, I Ngarkuar me Punë, në Ambasadën amerikane, mbi potencialin dhe mundësitë për investime amerikane në Shqipëri! Reforma thelbësore duhet te kryhen në Shqipëri për të krijuar një klimë biznesi të fortë që të tërheqë më shumë investitorë amerikanë. Por megjithë sfidat, jam optimist për rritjen e investimeve në dekadën e ardhshme. I uroj Davidit sukses në misionin e tij në Shqipëri dhe sukses në vitet e ardhshme ne punën me përmirësimin e klimës së biznesit”, u shpreh Jaço.

Në tre vitet e fundit Shqipëria ka njohur trefishim të investimeve amerikane.

Nga rreth 80 milionë dollarë në vitin 2019, ato arritën në vitin 2022, 220 milionë dollarë.

Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë së në 8-mujorin e këtij viti, importet nga SHBA u rritën, por eksportet shënuan rënie.

Në vlerë, importet arritën 11.4 miliardë lekë nga 9.1 miliardë lekë që ishin në 8-mujorin e  2022-shit, ndërsa eksportet ranë në 2.9 miliardë lekë nga 10.6 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të 2022.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdërmarrje të reja sociale, në asetet e sekuestruara nga krimi i organizuar në Shqipëri
Artikulli tjetërShqipëria në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB, Rama: Tjetër rol ndërkombëtar